Lidhje

Muze i ri për krimet e diktaturës në Shkodër

  • Pëllumb Sulo

Muzeu po ndërtohet në qendër të qytetit të Shkodrës, atje ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist

Muzeu i Krimeve te Dikaturës po ndërtohet në qendër të qytetit të Shkodrës, atje ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist dhe ku u burgosën me qindra kundërshtarë politikë të regjimit. Ky burg mbijetoi për më shumë se 40 vjet, duke përjellë një pjesë të dëshmive të asaj periudhe.

Për ndërtimin e Muzeut të Krimeve të Dikaturës, arkitektët dhe kuratorët kanë studiuar edhe muze të ngjashëm, të ndërtuar në vendet e Europës Lindore.
Drejtuesi i firmës ndërtuese, që po punon për zbatimin e projektit të muzeut, Mark Gjeka, thotë se janë ruajtur struktura e qelive dhe dëshmi të tjera të mbetura nga ajo periudhë.

Jemi mundu shumë për të ruajtur qelitë ashtu siç kanë qenë. Anën konstruktive nuk e kemi prekur dhe jemi mundu të ruajmë të gjithë shënimet dhe gërvishtjet e ndryshme, që të burgosurit e periudhës së komunizmit kanë bërë në muret e këtyre qelive. Janë 28 qeli në katin e pare, të cilat i perkasin periudhës 1946 e më pas, si dhe qelitë e reja të ndërtuara pas vitit 1980.



Për Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Lukën, Muzeu i Krimeve të Dikaturës do t’i shërbejë kujtesës kombëtare dhe nderimit të viktimave të komunizmit.

Muzeu do të jetë përshkrues i një periudhe të dhimbshme, një vuajtje të madhe të një popullli që ka rezitur për 50 vite me rradhë, të atyre intelektualëve që nuk i ndryshuan idetë, por patën vetëm një qëllim; të ndërtojnë një Shqipëri demokratike. Unë besoj se impakti i këtij muzeu nuk do të jetë vetëm në nivel lokal, por do të kalojë edhe në nivel kombëtar. Besoj se mesazhi që ne përcjellin nga ky muze është se njerëzit e këtij qyteti kanë vuajtur, janë dhunuar, por janë edhe ata që dinë të falin.

Muzeu i Krimeve të Diktaturës është një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkisë së Shkodrës. Ministri Aldo Bumçi thotë se, pas përfundimit të plotë të këtij muzeu, do të vazhdojë puna për ndërtimin e muzeve të tjerë, të cilët do të dëshmojnë krimet e periudhës komuniste.

Ka përfunduar ana fizike e muzeut dhe, shumë shpejt, shpresojmë brenda këtij viti, do të përfundojë edhe ana e ekspozimit të objekteve dhe pamjeve filmike që do të përcjellin atmosferën e asaj periudhe. Ky është Muzeu i parë i këtij lloji, që po ndërtojmë pas hapjes së Pavionit të Genocidit në Tiranë. Dëshirojmë të vijojmë më tej me burgun e Spaçit. Kemi nisur me projektin dhe shpresojmë, pas kthimit në muze të burgut të Spaçit, të vazhdojmë me kthimin në muze të një zone të Shqipërisë, e cila dikur ishte vend internimesh.

Muzeu i Krimeve të Diktaturës pritet të hapet në përfundim të këtij viti për t’u shndërruar në një qendër të vizitueshme për vizitorët vendas dhe të huaj. Ai do të jetë muzeu i parë i këtij lloji në Shqipëri, pas Pavionit të Genocidit, të hapur vitet e fundit në Muzeun Kombëtar të Tiranës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG