Lidhje

Dyshime për abuzime të tjera në qendrat sociale, Shkodër


Prokuroria e Shkodrës bëri sot të ditur një tjetër rast abuzimi në qendrat sociale të qytetit të Shkodrës. Në bazë të një hetimi dy javor sot në mesditë u ndaluan nga policia drejtoresha dhe një infermiere e Qendrës së Zhvillimit Social në qytetin e Shkodres, të cilat dyshohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas njoftimit të organit të akuzës, nga hetimet e kryera ka rezultuar se në këtë qendër sociale është ushtruar dhunë sistematike ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor. Prokuroria ka kërkuar ekspertim mjeko-ligjor për tre pacente femra në moshë madhore që strehohen në këtë qendër, të cilat kanë rezultuar se kanë qenë shtatëzëna dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria ka evidentuar si përgjegjës për trajtim në mënyrë jo të duhur shtetaset Juliana Cepi, drejtoreshë e Qendrës, si edhe Aida Ymeraj, infermiere në këtë qendër.

Ndërkohë, po vijohet hetimi për të identifikuar plotësisht rastet e dhunës, si edhe përgjegjësitë e punonjësve të Qendrës, neglizhenca e të cilëve ka sjellë si pasojë shtatëzaninë e femrave me probleme mendore si edhe ndërhyrjen e paligjshme për abortin e tyre.

Rreth dy javë më parë, pas një denoncimi të Avokatit të Popullit, Prokuroria e Shkodrës zbuloi një tjetër rast abuzimi me fëmijët në një tjetër qendër sociale, atë të Shtëpisë së Fëmijës Shkollor 6-18 vjeç, ku pas hetimeve të shpejta, organi i akuzës zbuloi raste keqtrajtimi të fëmijëve nga ana e përsonelit të shërbimit si dhe abuzim seksual me tre vajza. Në këtë rast, Prokuroria urdhëroi arrestimin e ish drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës Shkollor si dhe të disa edukatoreve nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Skandalet e fundit në qendrat sociale në Shkodër kanë ngritur shqetësimin mbi keq funksionimin e këtyre qendrave si dhe nevojën e reformimit të këtij shërbimi.

XS
SM
MD
LG