Lidhje

Shkodër, vazhdon tërheqja e ujrave nga zonat e përmbytura


Shkodër, vazhdon tërheqja e ujrave nga zonat e përmbytura
Shkodër, vazhdon tërheqja e ujrave nga zonat e përmbytura

Uji ka vazhduar edhe sot të tërhiqet nga zonat e përmbytura të Nënshkodrës dhe lagjet e qytetit, duke liruar rreth 650 banesa dhe një numër të madh biznesesh private. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, niveli i ujrave në zonat e përmbytura është ulur me 11 centimetër, megjithatë në disa nga komuna fushore, niveli i ujit vazhdon të arrijë në mbi 1 metër lartësi.

Autoritetet e emergjencave civile thonë se, të përmbytura vazhdojnë të jenë 4660 banesa, kryesisht në komunat Dajç, Ana e Malit, Velipojë, Bushat e Berdicë. Megjithë përmirësimin e gjendjes, autoritetet vazhdojnë të deklarojnë se situata e emergjencës është ende e pranishme.

Ndërkohë, në Shkodër ishte sot ambasadori i SHBA, Alexandër Arvizu, i cili vizitoi qendrën operacionale të policisë dhe atë të ushtrisë, nga ku drejtohen të gjithë operacionet drejt zonave të përmbytura.

Gjithashtu, ambasadori amerikan zhvilloi një takim edhe në shtabin e emergjencave civile, ku u njoh nga afër me situatën në zonat e përmbytura. Ambasadori amerikan vlerësoi punën e qeverisë dhe strukturave të ergjencave për përballimin e situatës së rënduar, të krijuar në zonat e përmbytura dhe shprehu mbështetjen e SHBA për banorët e zonave të përmbytura:

Dua t’ju informoj se jam shumë i kënaqur që komuniteti ndërkombëtar i është përgjigjur kërkesës tuaj për ndihmë. Edhe qeveria e SHBA, përmes USAID, ka mundësuar ofrimin e batanijeve dhe kiteve higjenike, të cilat mund të përdoren nga përsonat e evakuar.

Ajo që kemi ofruar ka qenë një ndihmë prej 50 mijë dollarësh, megjithatë, ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë situatën aktuale, të shikojmë se si do të zhvillohen ngjarjet, për të parë mundësitë si t’ju ndihmojmë me tej. Shqetësimi im, tha ambasadori Arvizu, mbeten fermat e vogla ku mund të jenë dëmtuar prodhimet e tyre. Megjithatë, mendimet dhe lutjet tona janë për ju në këtë situatë të veshtirë. Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë me shumë kujdes situatën për të shikuar se si mund t’ju ndihmojmë edhe në të ardhmen.

I pranishëm në takimin me ambasadorin amerikan ishte edhe Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Shyqyri Subashi, i cili vlerësoi ndihmën e SHBA nëpërmjet USAID në mbështetje të popullsisë shqiptare, në raste të fatkeqësive natyrore. Presidenti i Kryqit te Kuq Shqiptar tha se, edhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe vende të tjera të huaja, po mbështesin këto ditë Kryqin e Kuq Shqiptar, i cili ka nisur prej tre ditësh një operacion të gjërë humanitar për shpërndarjen e paketave ushqimore, batanijeve dhe kiteve higjenikë në zonat e përmbytura dhe qendrat pritëse për të evakuarit.

Ndërkohë, qeveria vendosi sot të ngrejë një komision për vlreësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet masive. Komisioni do të vlerësojë të gjitha dëmet e shkaktuara në subjektete private, në banesa apo ekonominë e tyre. Gjithashtu do të vlerësohen dëmet e shkaktuara në infrastrukturën publike, si shkolla, ujësjellësa apo rrugë. Ky vlerësim do të shërbejë si bazë për të përcaktuar edhe fondet që do të jepen për zhdëmtim. Puna e komisionit pritet të nisë menjëherë në zonën e Shkodrës, por vlerësim do të ketë edhe për dëmet në zonat e tjera të vendit të godituar nga përmbytjet.

XS
SM
MD
LG