Lidhje

Shkollat në Kaliforni ndeshen me shkurtime buxhetore

  • Elizabet Li

Shkollat në Kaliforni ndeshen me shkurtime buxhetore

Shkollat në Kaliforni ndeshen me shkurtime buxhetore

Recesioni ekonomik ka ndikuar thuajse në çdo aspekt të jetës amerikane dhe kriza nuk e ka kursyer as sistemin arsimor. Fondet për arsimin publik janë shkurtuar ndërsa shumë shtete amerikane ndeshen me probleme të buxhetit. Një nga shtetet më të goditur është Kalifornia, ku mijëra mësues kanë humbur vendet e punës.

Kjo është një letër së cilës mësuesit në Kaliforni i tremben shumë kur kontrollojnë postën. Veronica Pellegrini mori një letër të tillë me postë jo shumë kohë më parë.

"Kur e merr letrën dhe mëson se ke humbur punën, ku të thonë se nuk e duan më shërbimin tënd, kjo është tepër shkurajuese, madje e dhimbshme”.

Por Pelgrini nuk është e vetme. 60 për qind e mësuesve në shkollën fillore Mariposa-Nabi në Los Anxhelos kanë marrë njoftimin e shkurtimit të vendit të punës. Salvadore Rodrigues është drejtori i shkollës.

“Në këto kushte na duhet të vazhdojmë punën dhe madje me të gjitha këto ndryshime, duhet të kemi një vit shkollor të mirë”.

Edhe me një buxhet të kufizuar, drejtori Rodrigues ka mundur t’u sigurojë kompjutera studentëve të tij, por megjithatë, ata po e ndjejnë ndikimin e shkurtimeve. Ai thotë se në shkollën e tij, më parë raporti mësues-nxënës ka qenë 1 me 20. Por vitin e ardhshëm ai pret që të jetë 1 mësues për 30 nxënës. Mësuesit thonë se një klasë me më tepër nxënës do të thotë që nxënësve t’u kushtohet më pak vëmendje individuale dhe kjo është sidomos e vërtetë në një shkollë si kjo e Kalifonisë, ku ka shumë imigrantë, për të cilët anglishtja është gjuhë e dytë.

"Kush humbet në këtë rast? Fëmijët".

Drejtori i Distriktit të Shkollave të Bashkuara të Los Anxhelosit, Xhon Dizi, më i madhi në sistemin e shkollave në Shtetet e Bashkuara, thotë se gjatë dy vjetëve të fundit, distrikti ka humbur 10-12 për qind të ekipit të punonjësve, rreth gjysma e tyre mësues.

"Recesioni ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në buxhetin e shtetit dhe ne kemi patur një shkurtim tepër të madh të fondeve".

Profesori i Universitetit të Kalifornisë për lëndën e mësimdhënies, Xhon Rochers, thotë se recesioni ka ndikuar tek fondet për arsimin në mbarë vendin.

"Sipas disa parashikimeve, këtë pranverë, rreth 160 mijë mësues në të gjithë vendin kanë marrë njoftime se janë pushuar nga puna".

Zoti Roxhers thotë se gjendja në Kaliforni është më e keqe, ngaqë ky shtet përballej me një deficit buxhetor, që para fillimit të recesionit dhe shteti shpenzonte më pak për çdo student se sa mesatarja kombëtare. Kjo shumë është 40 për qind e fondit të përgjithshëm të shtetit.

Presidenti i Sindikatës së Studentëve të Los Anxhelosit, A. J Duffy, thotë se fondet që marrin çdo vit shkollat varen nga situata ekonomike e shtetit.

"Gjatë dy vjet gjysëm deri tre vjetë, na janë shkurtuar 20 miliardë dollarë nga fondet publike për arsimin".

Drejtori i arsimit Xhon Dizi pret që të ketë më tepër ndryshime në sistemin arsimor të shtetit, në se gjendja e buxhetit nuk përmirësohet.

"Jemi duke pakësuar personelin e bibliotekave të shkollave dhe numrin e infermiereve. Do jemi të detyruar të mbyllim dhe njëkohësisht konsolidojmë shkollat".

Shumica e distrikteve në Kaliforni e kanë pakësuar numrin e ditëve të shkollës. Edhe shtete të tjera në mbarë vendin, po ashtu po flasin për shkurtimin e ditëve shkollore, në kushtet kur ndeshen me më pak fonde për arsimin.

XS
SM
MD
LG