Lidhje

Shkollimi i grave dhe vajzave në Shqipëri


Shumica e studentëve, mbi 65 për qind e tyre, janë femra dhe shumica e tyre janë me rezultate shumë herë më të mira se meshkujt

Dhuna ndaj grave në familje është shqetësim kryesor i shoqërisë shqiptare. Studiuesit mendojnë se për paradoks gruaja është njëkohësisht edhe viktima dhe heroina e ngjarjeve. Gruaja pëson dhunën, gjykata ia lë asaj kujdestarinë e fëmijëve. Pas divorcit ajo mbetet pa shtëpi dhe nuk përfiton asgjë nga pasuritë e përbashkëta të familjes, të cilat shumica janë banesa të palegalizuara. Po ashtu, gruaja e dhunuar është pa punë, pa ushqim, dhe duhet të gjejë paratë e mbijetesës për vete dhe fëmijët, sepse bashkëshorti shpesh nuk paguan detyrimet financiare që cakton gjykata. Në Qendrën për Nisma Ligjore e Qytetare pohojnë se tashmë raste të tilla janë të shumta e të zakonshme dhe madje ndodhin edhe në familje të shkolluara.

Studiuesit mendojnë se shifrat e deklaruara për dhunën ndaj grave janë minimale, dhe tregojnë vetëm një pjesë të dhunës fizike, por jo edhe psikologjike, ekonomike, diskriminuese. Sipas tyre familja dhe shoqëria shqiptare duhet të demokratizohen, sepse meshkujt sundojnë vetëm prej përkatësisë gjinore, ndërsa gratë janë shumë më të shkolluara dhe shtysa e tyre për kulturë është shumë më e madhe. Ato diskriminohen rregullisht në çdo fushë, dhe në tregun e punës.

Statistikat tregojnë se shumica e studentëve, mbi 65 për qind e tyre, në universitetet publike dhe private janë femra dhe shumica e tyre janë me rezultate shumë herë më të mira se meshkujt. Në këto universitete më shumë se gjysma e pedagogëve janë vajza dhe gra. Ndërsa në shkollat 9-vjecare dhe të mesme ato zënë pjesën dërrmuese të mësuesisë. Studiuesit vërejnë se gratë e duan rregullin në tregun e punës dhe nuk punësohen në të zezë. Sipas tyre, ato janë më shumë punëtore, më shumë të arsimuarat dhe më pak të korruptuarat.

Aktualisht në shoqërinë shqiptare jetojnë më shumë vajza e gra se sa meshkuj. Të dhënat demografike tregojnë se 58-62% e popullatës janë vajza dhe gra. Ato përfaqësohen maksimalisht në mësuesi dhe fare pak janë të pranishme simbolikisht në polikë dhe qeverisje. Studiuesit pohojnë se shoqëria u ka shumë borxhe grave, dhe nevojiten reforma të thella, që të shmanget mbizotërimi tradicional i burrave thjesht prej përkatësisë gjinore, dhe që ndaj vajzave e grave të zhduket mendësia se anatomia e tyre është fataliteti i tyre, por të vlerësohen si të barabarta për vlerat e larta që kanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG