Lidhje

Shkollimi i lartë në internet


Interneti ka ndryshuar tashmë thellësisht botën e muzikës, industrinë e botimeve, gazetarinë, tregtinë dhe biznese të tjera. Një fushë tjetër që mund të pësojë transformim prej revolucionit dixhital është mësimdhënia në universitete. Tani, kolegjet amerikane po përballen me një "stuhi perfekte" problemesh, me kostot në rritje të shkollimit, mundësitë jo të shumta për të diplomuarit dhe me punëdhënësit që ankohen se nuk mund të gjejnë punonjës të mjaftueshëm me aftësitë teknike kryesore. Një zgjidhje mund të gjendet pikërisht tek rritja e numrit dhe e cilësisë së leksioneve në internet.

David Evans, i Universitetit të Virxhinias, po jep në internet mësimin e hyrjes në shkencën kompjuterike. Leksionet online ofrohen tashmë nga shumë prej universiteteve më të mira dhe përfshijnë lëndë të ndryshme, që nga programimi kompjuterik deri tek shkenca e gatimit.

Shumë prej këtyre leksioneve janë ose pa pagesë ose të lira dhe përditësohen më shpejt sesa kurrikulat e zakonshme të universiteteve.
Kjo është diçka e rëndësishme për miliona nxënësit që përvetësojnë aftësi teknike dhe të tjetra në faqen e internetit Lynda.com. Bashkëthemeluesja Lynda Weinman foli për Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Ne mund të paraqitemi në treg shumë shpejt, duke dhënë leksione mbi gjëra të reja, si për shembull programet kompjuterike që ndryshojnë vazhdimisht. Gjithë programet e reja që shpiken dhe gjëra të tjera të ngjashme nuk e kanë të lehtë të përfshihen në planet mësimore të universiteteve."

Një tjetër ndryshim është se në vend që nxënësit të njekin leksionin e profesorit, e më pas të bëjnë kërkime, të studiojnë dhe të bëjnë detyrat e shtëpisë, leksionet në internet mund ta përmbysin këtë rradhë, thotë studenti dhe blogeri John Haber. Gjatë një interviste me Skype ai tha se në internet është duke ndjekur aq leksione sa do të mjaftonin për të marrë brenda një viti një diplomë studimesh universitare katër-vjeçare.

"Ata shohin leksione të regjistruara si detyrë shtëpie dhe kur ndjekin mësimin në klasë, zhvillojnë diskutime e ndërveprime shumë aktive me mësuesit ose punojnë në projekte të ndryshme."

Ekspertët thonë se teknologjia e re do të ketë një "ndikim të madh" tek universitetet. Disa prej tyre parashikojnë se mësimdhënia në të ardhmen mund të jetë një përzierje e leksioneve online me ndihmën e ofruar nga profesorët duke u takuar personalisht me nxënësit për të punuar mbi problemet e vështira.

Këto ndryshime do të ishin të mirëpritura sipas ekonomistit të Universitetit Georgetown, Tony Carnevale, i cili thotë se shkolla duhet të jetë më pak e shtrenjtë dhe më e përqëndruar tek aftësitë që kërkojnë punëdhënësit.

"Është me të vërtetë mjaft e qartë që gjithmonë e më shumë njerëz kanë nevojë për arsimim dhe trajnim në nivel universitar dhe shumë prej tyre nuk po e arrijnë një gjë të tillë. Në disa raste, kur ata e kryejnë këtë arsimim, ai nuk u siguron një punësim fitimprurës. Shpesh herë ata detyrohen të punojnë në vende ku nuk përdorin plotësisht aftësitë e marra nga arsimimi, dhe ne nuk kemi para të mjaftueshme për të paguar kostot e këtij problemi. Kjo është arsyeja pse tani efikasiteti i institucioneve të arsimit të lartë është vendimtar."

Eksperti i marketingut për universitetet Chris Cullen, i kompanisë Infinia, thotë se konkurrenca ndaj alternativave në internet dhe shqetësimi për kostot, do të bëjë që universitetet të ndryshojnë.

"Konsumatori thotë: më trego, pra më jep arsye, pse unë duhet të besoj që paratë e mia do të ishin të shpenzuara më mirë nëse arsimohem në këtë institucion. Cili është fitimi i investimit tim? Cila është vlera që më ofroni?"

Zoti Cullen thotë se shkollat e larta me reputacion të fortë mund të zgjerohen lehtësisht në botën e internetit, por, sipas tij, universitetet më pak prestigjioze mund të hasin vështirësi në tërheqjen e studentëve dhe të pagesave të tyre për shkollim.
XS
SM
MD
LG