Lidhje

Shkrimtarë të njohur rusë në krye të një proteste kundër Presidentit


Në Moskë, rreth 5 mijë njerëz morën sot pjesë në një protestë të paautorizuar, për të mbështetur të drejtën e grumbullimit pa leje. Qysh pas inaugurimit të zotit Putin, të hënën e kaluar, aktivistët kundër Presidentit kanë organizuar tubime të panjoftuara në të gjithë kryeqytetin. Si pasojë, shumë prej tyre janë ndaluar nga forcat e rendit për grumbullim të palejuar.

Në Moskë, rreth 5 mijë njerëz morën sot pjesë në një tubim të paautorizuar, për të protestuar kundër asaj që ata e cilësojnë si shkelje të së drejtës për t’u grumbulluar pa leje. Protesta u organizua nga shkrimtarë të njohur rusë si Boris Akunin, i cili boton nën pseudonimin letrar Grigory Chkhartishvili.

"Gjëra të çuditshme filluan të ndodhin këtu në Moskë gjatë javës së parë të mandatit presidencial të Vladimir Putinit. Njerëzit filluan të arrestoheshin nëpër bulevarde, sepse ata po mblidheshin në grupe prej më shumë se tre vetësh, apo sepse vinin shirita të bardhë. Ne duam të shohim nëse do të ndodhë sërish."

Inaugurimi i zotit Putinit të hënën e kaluar u shoqërua me masa sigurie jashtëzakonisht të larta. Policia arrestoi qindra njerëz, që u përpoqën t’i afroheshin autokolonës së tij, në qendër të Moskës.

Qysh atëherë, aktivistët kundër Presidentit kanë organizuar tubime në të gjithë kryeqytetin, duke u grumbulluar papritmas në vende publike dhe duke qëndruar jashtë gjatë natës, në kampe të improvizuara.

Si pasojë, shumë prej tyre janë ndaluar nga forcat e rendit për mbledhje të palejuar.

Ecja e sotme në bulevardet e Moskës u udhëhoq nga disa shkrimtarë të shquar rusë, të cilëve iu bashkua një turmë prej të paktën 5 mijë njerëzish.

Dimitri Gudkov është deputet i Dumës dhe anëtar i partisë Një Rusi e Drejtë.

“Ne nuk do të largohemi nga rrugët, sepse e kemi të qartë se sapo të ikim, autoritetet do të fillojnë ta bëjnë situatën edhe më të vështirë.”

Zoti Gudkov thotë se ai është i bindur që forcat e rendit do të ndalnin edhe lëvizjet që janë krijuar kohët e fundit.

XS
SM
MD
LG