Lidhje

Shkrimtari Bardhyl Londo uron Zërin e Amerikës

  • Zëri Amerikës

Në rradhë të parë i uroj radios, stafit të saj edhe gjithë dëgjuesve të shumtë: Gëzuar 70 vjetorin edhe 70, 100, 200 vjetorë të tjerë se jam i sigurtë që kjo radio do të jetë gjithmonë e dëgjueshme, do të jetë e pranueshme, siç ka qenë vazhdimisht në jetën e njerëzve. Unë them që është e vetmja radio që ka pasur një numër rekord dëgjuesish në Shqipëri dhe që vazhdon ta ketë akoma. Është e vetmja radio ku ne njihnim ç’ishte bota, ku njihnim ç’ishte jeta, ku njihnim edhe vetveten, sepse ishte burimi i vetëm i informacionit të saktë, i informacionit të vërtetë. Janë të panumërt shembujt që mund të tregoja unë apo moshatarët e mi për mënyrën se si e ndiqnim radion Zëri i Amerikës, dhe kur kishim diçka që ishim jashtë do shkonim patjetër që ta dëgjonim, ose ruanim emisionin tjetër pasardhës.

Për vete kam shumë kujtime se kam folur disa herë për të, por edhe është folur për mua në një mënyrë që unë nuk e harroj kurrë. Mbaj mend sidomos atë emisionin që ka qenë të dielave, një 5 minutësh, 7 minutësh për letërsinë dhe artet që jepej vetëm një herë në javë, atë e dëgjonim vazhdimisht dhe aty gjëja më interesante ishte që ato reçensione që bëheshin megjithse ishin fare të shkurtëra, çuditërisht ishin shumë profesionale. Edhe sot vështirë të gjesh në shtypin shqiptar atë profesionalizëm me të cilin trajtoheshin librat në atë kohë dhe jo vetëm kaq, por reçensionet për librat si dhe për gjërat e tjera, edhe për intervistat, bëheshin në atë mënyrë që vërtetë thuhej e vërteta, vërtetë që të thuhej ajo që i duhej radios, që iu duhej dëgjuesve të saj të shumtë.

Por ishte kujdesi shumë i madh për të ruajtur autorin në mënyrë që të mos pësonte gjë nga diktatura. Gjehej momenti oportun kur shikohej që ishin më pak mundësitë për t’u dënuar ky autor dhe atëherë emetohej lajmi. Është dhënë për poemën time “Epitaf i 7 ëndrrave” e mbaj mend si tani, megjithëse ajo është botuar në ’86-ën, stafi i radios e ka ndjekur vazhdimisht dhe në momentin në ’88-ën, kur kam marrë unë çmimin Migjeni që ishte një lloj mbrojtjeje që isha siguruar, atëherë dhanë edhe emisionin për poemën dhe mbaj mend si tani ishte me të vërtetë një analizë shumë profesionale, por gjithsesi ishte futur edhe gjëja tjetër që e kuptova mënyrën që kishin përdorur ata për të më ruajtur mua sepse thoshte në reçension që “pas botimit të kësaj poeme menduam që autori do të kishte konseguenca të mëdha por fakti që mori çmimin Migjeni domethënë që janë kaluar këto”, dhe mbyllej pastaj me një frazë tjetër që në Shqipëri priten ndryshime politike. Natyrisht që ndryshimet politike ne i prisnim shumë shpejt, ato erdhën, por erdhën mbas nja dy vjetësh pastaj se ky reçesion është bërë në 88-ën.

Ka qenë me të vërtetë radioja që na bashkonte të gjithë, kemi emocione të panumërta, kemi kujtime të panumërta dhe vazhdon të mbetet e dashur gjithmonë për ne. Besoj do jetë gjithmonë e dashur.

XS
SM
MD
LG