Lidhje

Shkrimtari Rexhep Qosja uron Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit


Zëri i Amerikës është institucion i informacionit nga më të rëndësishmit në botë dhe është institucion i informacionit me rol të jashtëzakonshëm në krejt planetin prej ditës së themelimit në vitin 1942; një institucion me rëndësi të jashtëzakonshme botërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë Luftës së Ftohtë; institucion me rëndësi të jashtëzakonshme në kohën e përmbysjes së komunizmit dhe me rolin e vet të jashtëzakonshëm që i ka dhënë përmbysjes së komunizmit, por ka një rëndësi të madhe të jashtëzakonshme edhe tani pas rënies së komunizmit, në procesin e demokratizmit të ish vendeve komuniste në Europë e në përgjithësi.

Zëri i Amerikës është një institucion me rëndësi për demokratizimin në botë në përgjithësi. Një institucion që dëgjohet për 70 vjet, që nderohet për 70 vjet. Është një institucion që dëgjohej edhe kur nuk lejohej të dëgjohej! Njerëzit mbylleshin nëpër shtëpi, mbyllnin dyert e shtëpive, të oborreve, të dhomave, siç thuhet “mbylleshin me katër brava” që mos të përgjoheshin e të survejoheshin nga organet e Sigurimit e të policisë, por e dëgjonin sepse Zëri i Amerikës është zëri i lirisë, i pavarësisë së popujve, zëri i demokracisë në jetën e popujve dhe të shteteve.

Është posaçërisht i rëndësishëm Zëri i Amerikës për ne shqiptarët; gjithmonë e në mënyrë të veçantë tani pas rënies së komunizmit Zëri i Amerikës ka luajtur një rol të madh e në kuadrin e Zërit të Amerikës, emisioni në gjuhën shqipe në procesin e demokratizmit të Shqipërisë, ka luajtur e po luan rol në ndërtimin e institucioneve demokratike në Shqipëri e Kosovë.

Dua të them se puna e kolegëve tanë, bashkatdhetarëve tanë, vëllezërve tanë, motrave tona tek Zëri i Amerikës është shumë e rëndësishme; është shumë e rëndësishmë puna politike, puna shoqërore, puna kulturore që bëhet tek Zëri i Amerikës, është me ndikim tek shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës.

Dua të theksoj edhe një gjë, është për t’u çmuar shumë përkushtimi i bashkatdhetarëve tanë tek Zëri i Amerikës ndaj gjuhës standarde. Ata po përkujdesen për gjuhën, po e ruajnë pastërtinë e saj kombëtare dhe po e pasurojnë. Unë për këtë dhe për të gjithë punën e tyre i uroj shumë ata. Gjithashtu gjej rastin që të uroj gjithë dëgjuesit e Zërit të Amerikës për këtë përvjetor, e në mënyrë të veçantë t’ua uroj këtë përvjetor bashkatdhetarëve tanë që bëjnë emisionin e gjuhës shqipe tek Zëri i Amerikës.

Gëzuar!

Trego komentet

XS
SM
MD
LG