Lidhje

Shkrirja e akullnajave të Groenlandës

  • Zëri Amerikës

Ekspertët britanikë thonë se akullnajat në Groenlandë po shkrijnë me një ritëm më të lartë nga ç’pritej. Sipas shkencëtarëve, shtresa e akullit të Groenlandës që përbën 10 përqind të rezervave të ujit në botë, është zvogëluar me gati 1 mijë e 800 metra vetëm në një ditë muajin e kaluar.

Çdo ditë akullnaja Jakobshavn humbet 20 milionë tonë akull në oqean.
Shkencëtarët e Universitetit Aberistith thonë se kanë parë një pakësim prej 10 mijë e 800 metrash që nga viti 2000 dhe nuk janë të sigurtë se çfarë e ka shkaktuar atë.

Aslak Lau Rolvsen shpjegon rëndësinë e gjetjes së arsyes.
“Çështja kryesore është ngrohja globale. Pjesë e këtij studimi lidhet me gjetjen e shkakut të shkrirjes. Por nuk ka diskutim që çdo gjë po ndryshon tani. Pyetja që shtrohet është – po e shkaktojmë ne apo është ky një lloj cikli”.

Një ekip britanik nga universitetet Swansea dhe Aberistith thonë se kanë prova që tregojnë se akullnajat po shkrijnë me një ritëm më të shpejtë nga sa mendohej.
Një nga arsyet ka qënë se shkrirja në sipërfaqe kontribuon në rritjen e pjesës së shkrirë në bërthamën e akullnajës.

Ndërsa shtresa e akullt shkrin, ajo absorbon më shumë nxehtësi nga dielli, duke e shpejtuar shkrirjen nga poshtë.
Alun Hubbard është pjesë e ekipit të hulumtuesve që kanë parë se akulli në rajon është ulur gati katër metra në vetëm një muaj dhe do të arrijë 6 metra gjatë sezonit të shkrirjes.

“Për momentin shkrirja është me rritme ekstreme. Kemi këtu disa pajisje dhe kemi matur se brenda gati dy javësh është shkrirë dy metër e gjysmë shtresë akulli.”
Shkrirja e sipërfaqjes nuk është shkaku i vetëm për alarmin që shkaktojnë akullnajat.
Dr. Hubbard shpjegon se copëzat e pluhurit që bien mbi akull absorbojnë më shumë diell dhe shpejtojnë shkrirjen.
Shkencëtarët zbuluan se vetëm në një javë, 260 kilometra katrorë akull u shkëput nga akullnaja Petermann në Groenlandën veriperendimore.


Kjo është pjesa më e madhe e shkëputur në Arktik në gjysmë shekulli.
Vetë në oqeanin Arktik, shkrirja gjatë verës ka arritur përmasa të paparashikuara.
Shifrat tregojnë se zona e oqeanit e mbuluar me akull muajin e akuar ishte në nivele rekord për korrikun.
Shkrirja e akullit po shkakton gati 60 përqind të rritjes së nivelit të detit në mbarë botën.
Ndërkohë temperaturat në mbarë botën tregojnë se gjashtë mujori i parë i këtij viti ishte më i nxehti në 150 vjetë të regjistrimit të klimës globale.

XS
SM
MD
LG