Lidhje

Shkup: Pesëmbëdhjetë nxënës shqiptarë rrihen nga persona të maskuar


Në një incident që ka ndodhur mbrëmë në një autobus në Shkup janë rrahur pesëmbëdhjetë nxënës shqiptarë nga persona të maskuar. Gjashtë prej nxënësve janë dërguar në spital.

Partitë shqiptare janë shqetësuar nga ky incident. Ndërkohë, ministrja e Punëve të brendëshme Gordana Jankullovska ka thënë se nuk ka tolerancë për dhunuesit, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë.

Ka reaguar dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup. Në një reagim të saj thuhet se mbështet përpjekjet e ministres së brendshme Jankullovska për të ndjekur hetimet dhe procedurat ligjore.

Ambasada u bën thirrje partive politike që të tregohen të qeta, të presin faktet e rastit dhe të lejojnë procesin ligjor.

Sulmi i mbrëmshëm kundër nxënësve shqiptarë në një autobus nga persona të panjohur po shton revoltën jo vetëm të prindërve të nxënësve të rrahur, por dhe të faktorit politik shqiptar dhe shoqërisë civile.

Pesëmbëdhjetë nxënës shqiptarë të moshës prej 15 deri 18 vjeç mbrëmë janë rrahur me shkopinj bejzbolli dhe shufra hekuri nga 20 persona të maskuar në autobusin e linjës 58 që qarkullon nga qyteti i Shkupit për në fshatin Çiflik.

Gjashtë nxënës janë dërguar në spital, ndërkohë që tre janë ndalur për trajtim, përfshirë një vajzë; ndërsa një prej nxënësve ka marrë plagë më të rënda.
Prindërit e tyre dukshëm të shqetësuar kërkojnë mbrojtjen e fëmijëve nga organet përkatëse dhe ndërhyrjen e autoriteteve për zbardhjen e rastit.

Ky incident i rëndë që ndodh në një kohë të raporteve të brishta ndëretnike ka nxitur dhe reagime politike.

Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesë e koalicionit qeveritar ka caktuar një takim urgjent për në orët e vona të pasdites. Deputetë të kësaj partie kanë vizituar nxënësit e lënduar në spitalin e qytetit, siç kanë bërë ndaraz edhe deputetë të PDSH-së.

Ermira Mehmeti e BDI-së është shprehur se në këto çaste më së paku duhet që spekullimet ta acarojnë gjendjen.

Partia Demokratike Shqiptare e opozitës ka kërkuar që Parlamenti i vendit të debatojë në një seancë urgjente për rastin, ndërkohë që kërkesa është refuzuar nga kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski, me arsyetimin se mungojnë të dhëna të nevojshme.

PDSH-ja thotë se këto janë incidente të organizuara nga shteti dhe institucionet e tij.

Rilindja Demokratike Kombëtarre vlerëson se dhuna e shfaqur mbrëmë sikundër dhe në rastin e fundit në Gostivar, ku u vranë dy shqiptarë të rinj, burimin e kanë tek politika.

Janë apo nuk janë këto raste të dhunshme të përgatitura sipas skenarëve? Shumë shqiptarë mendojnë se po, ndërsa autoritetet thonë se këto duhet shikuar si raste të izoluara huliganësh dhe nuk duhet parë nga dimensione ndëretnike dhe politike.

XS
SM
MD
LG