Lidhje

Shkup: protesta të reja për vrasjen e të riut maqedonas


Disa qindra të rinj maqedonas po protestojnë përsëri, duke shprehur revoltë për vrasjen e një 19 vjeçari.

Protestuesit u mblodhën tek vendi ku ndodhi vrasja të hënën dhe thanë se do të vazhdojnë për në qendër të qytetit, për t'u grumbulluar para ndërtesës së Parlamentit.

Por policia nuk i lejoi dhe protesta u shkallëzua. Një polic njoftohet të ketë marrë plagë të lehta gjatë përleshjeve me protestuesit dhe sipas autoriteteve janë arrestuar edhe protestues të tjerë.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës, ndërkohë që protestuesit u kanë vënë zjarrin koshave të plehrave nëpër rrugë.

Sipas dëshmitarëve, ka patur edhe thirrje fyese kundër shqiptarëve.

Viktima, Angell Petkovski, u vra gjatë një përleshjeje fizike nga personi i dentifikuar nga policia me emrin Naser E., që ajo thotë se ka qenë i akuzuar edhe më parë për vjedhje.

Ndërkohë, trazirat u kanë shkaktuar dëme pronarëve shqiptarë të lokaleve dhe objekteve në lagjen Gjorçe Petrov, të banuar kryesisht nga maqedonas. Të paktën një lokali i është vënë zjarri.

Partitë kryesore politike të vendit nuk kanë komentuar. Pjesëtarë të shoqërisë civile bëjnë thirrje që rastet kriminale të trajtohen si të tilla pa keqpërdorim të marrëdhënieve ndëretnike.

I dyshuari ndodhet në arrest dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh.
XS
SM
MD
LG