Lidhje

“Shkupi Jo në Nato pa respektuar Ohrin”


Kryeministri paralajmëron Maqedoninë, pas ngjarjeve të Kumanovës: E rrezikshme përpjekja për të bashkuar termin terrorizëm me emrin shqiptar.

Ndërsa në takimin e ministrave të Brendshëm të Ballkanit për cështjet e terrorizmit, po i mëshonte idesë së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe rëndësisë së stabilitetit të tij, kryeministri Edi Rama shprehu dhe një herë shqetësimin për situatën në Maqedoni, pas ngjarjeve të Kumanovës “ku, fatkeqësisht, fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues, i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm, i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”.

Takimi kundër ekstremizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Sipas kryeministrit “përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme, siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe për qeverinë shqiptare, vonesa dhe ende më keq, mungesa e transparencës edhe e drejtësisë. E drejtësisë, për terrorin dhe për dëmet që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”, tha zoti Rama, duke shtuar se “të gjithë dëshirojnë një Maqedoni të qëndrueshme dhe demokratike që të jete pjesë e Natos, por që s’mund të bëjë pjesë e saj, pa garantuar në frymë dhe në gërmë, vlerat dhe parimet e Aleancës”, nënvizoi zoti Rama duke paralajmëruar “se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”

Shqipëria është vend anëtar i Natos dhe gëzon të drejtën e vetos, një e drejtë e përdorur që prej 2008 nga Greqia për shkak të konfliktit që ka me Maqedoninë për cështjen e emrit.

Kryeministri Rama theksoi disa herë nevojën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, përballë sfidave të ekstremizmit të dhunshëm. “Terrorizmi ndërkombëtar vazhdon të përbëjë një kërcënim për këtë rajon, sikundër për të gjithë paqen dhe sigurinë globale. Unë shpresoj që ky takim të mos konfirmojë thjesht gatishmërinë, por edhe vendosmërinë tonë për të mposhtur jo thjesht terrorizmin, kur ai na shfaqet ballë për ballë, por ideologjinë, frymën dhe mekanizmat që e mbështesin atë në çdo vend dhe që e bëjnë atë, një kërcënim befasues”, u shpreh zoti Rama.

Për dy ditë me radhë ministrat e Brendshëm të Ballkanit dhe zyrtarë të vendeve të Bashkimit europian dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat u përfaqësuan me nënsekretaren e Shtetit për Sigurinë civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut Sarah Sewall, diskutuan për masat e përbashkëta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, që nga përfshirja e sa më shumë aktorëve të shoqërisë, te bashkëpunimi dhe koordinimi mes agjencive ligjzbatuese të vendeve të rajonit.

XS
SM
MD
LG