Lidhje

Shpërthim me bombë në Athinë


Një bombë shpërtheu pranë Bankës Qendrore greke në Athinë sot në mëngjes, disa orë përpara se Greqia të kthehej në tregun ndërkombëtar të bonove. Policia tha se shpërthimi ka thyer xhama, por nuk ka të plagosur. Një telefonatë anonime paralajmëroi një gazetë dhe një faqe interneti të lajmeve rreth një orë para shpërthimit. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Greqia filloi sot shitjen e bonove në tregun botëror sot për herë të parë që prej vitit 2010.

Makinë bombë që shpërtheu pranë Bankës së Greqisë në Athinë sot shkaktoi dëme të shumta në ndërtesën që ndodhet në qendër të qytetit. Zëvendës kryeministri grek Evangelos Venizelos tha se incidenti nuk ndikoi negativisht në rikthimit të Greqisë në tregjet monetare.

“Ngjarja që ndodhi sot tregon se disa janë duke u përpjekur më kot të ndikojnë negativisht. Por askush nuk ja arriti kësaj.”

Shpërthimi ndodhi disa orë para se Greqia të kthehej në tregjet ndërkombëtare të bonove pas një largimi prej 4 vjetësh që çoi në marrjen e borxheve nga BE-ja dhe FMN-ja por që u shoqëruan me reforma të ashpra që shkaktuan zemërim të publikut.

Zoti Venizelos tha se bonot me maturi 5 vjeçare u shitën të paktën tetë herë më shumë nga sa pritej.

Fasada e mermertë e ndërtesës u shkatërrua ashtu si edhe makinat dhe dritaret e dyqaneve përreth.

Bomba 70 kilogramëshe ishte paketuar në një makinë të vjedhur.

Nuk pati të plagosur nga shpërthimi që ndodhi në orët e para të mëngjesit.

“Në se shqyrtojmë problemet që njerëzit kanë sot, me varfërinë dhe papunësinë, çdo gjë mund të ndodh në çdo moment”, thotë ky banor i Athinës.

``Mendoj se është një incident i vogël që nuk ndikon për asgjë por që shkakton publicitet negative, ndërsa njerëzit jashtë e shohin dhe thonë – atje po shpërthejnë bomba, por në fakt çdo gjë është mirë.”

Policia beson se të majtët ose grupet anarkiste janë pas sulmit që vjen një ditë para vizitës të planifikuar për në Athinë të kancelares gjermane Angela Merkel.
XS
SM
MD
LG