Lidhje

Shpallet “Dëshmor i Atdheut” komandanti Simon Gjeta

  • Pëllumb Sulo

Simon Gjeta

Simon Gjeta

Komandanti i vrarë i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, nënkomisar Simon Gjeta, u shpall sot pasdite “Dëshmor i Atdheut” nga një komision i posaçëm, që funksionon pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Dëshmori i Atdheut, Simon Gjeta, pritet të përcillet nesër për në banesën e fundit në Tiranë, pas një ceremonie homazhi, që do të zhvillohet në orën 11 në Akademinë e Sigurisë, në Tiranë.

Nënkomisari Simon Gjeta, komandanti i FNSH në Shkodër humbi jetën në krye të detyrës, të shtunën në mbrëmje, gjatë një operacioni policor për arrestimin e autorit të plagosjes së një 21-vjeçari, bashkëfshatar i tij në fshatin Obot i Ri, vetëm 7 kilometër në afërsi të qytetit të Shkodrës.

Komandanti 49 vjeçar i FNSH-së është diplomuar në Shkollën Ushtarake "Skënderbej" dhe më tej, nga data 20 dhjetor e vitit 1997 e në vazhdim, ishte angazhuar në radhët e Policisë së Shtetit. Gjatë viteve 1997 deri më 30 qershor të 2007, Gjeta ka shërbyer në strukturat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë fillimisht në Kurbin dhe më pas në Tiranë.

Më 30 qershor të vitit 2007, Simon Gjetës iu shkëputën marrëdhëniet e punës me motivacionin “shkurtim funksioni” dhe u ripranua në Policinë e Shtetit në vitin 2012. Nga dhjetori i vitit 2012 e deri në shkurt të vitit 2013, Gjeta ka shërbyer në sektorin e hetimit të krimeve dhe të sigurisë publike në Komisariatin e Policisë Fier. Më pas, nënkomisari Simon Gjeta është transferuar në repartin e FNSH Shkodër me një vendim të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi.

Ai ishte diplomuar në Shkollën Ushtarake "Skënderbej" dhe më tej ishte angazhuar në radhët e Policisë së Shtetit duke u bërë pjesë e efektivave të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Nënkomisar Simon Gjon Gjeta, si pjesëtar i forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit, ka marrë pjesë në disa operacione për vendosjen e rendit dhe sigurisë publike, duke u përballur me elementë kriminalë të një rrezikshmërie shumë të lartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG