Lidhje

Veprimtaria e shkrimtarit shqiptar Shpend Sollaku Noé


Shkrimtari ka botuar kohët e fundit romanin me titull "Kufiri i Mjegullës", në qendër të të cilit janë intelektualë, ish të përndjekur politikë

Sistemi 50 vjeçar komunist në Shqipëri, një prej më të ashpërve në Evropën Lindore dhe gjithë botën, vazhdon të jetë një temë e nxehtë dhe ende e pazgjidhur në shumë drejtime pas më shumë se 20 vjetësh që prej përmbysjes së tij. Shkrimtari shqiptar, Shpend Sollaku Noé ka botuar kohët e fundit romanin me titull Kufiri i Mjegullës, në qendër të të cilit janë intelektualë ish të përndekur politikë.

Shpend Sollaku Noé ka botuar gjatë viteve një numër librash, dhe së fundi romanin Kufiri i Mjegullës, në italisht, i cili është pritur mjaft mirë prej kritikës në Itali, ku ai banon që prej fillimit të viteve 90-të. Ky roman përfshin një periudhe të historisë shqiptare dhe asaj evropiane prej 10 vjetësh, duke filluar nga rënia e murit të Berlinit deri tek lufta e Kosovës dhe në qendër të tij janë një numër intelektualësh, ish të përndjekur politikë.



“Gjatë kësaj periudhe përfshihet pushkatimi i Çausheskut, rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, zgjedhjet e para pluraliste, zhgënjimi i këtij grupi intelektualësh, që janë në qendër të romanit, sidomos njëri prej tyre, Ludovik Oresti, që bëhet më vonë edhe personazhi kryesor i këtij romani”.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, të burgosurit dhe të përndjekurit politikë e gjetën veten në liri të plotë, krahasur me rreziqet e përditshme që u kanoseshin, dhe deri diku edhe të papërgatitur për të zënë vendin që u takonte në shoqërinë shqiptare.

Zoti Noé thotë se këta ish të përndjekur politikë të regjimit komunist nuk u organizuan si duhej dhe janë të tillë edhe sot pas 20 vjetësh.

“Duke pasur parasysh se si rrodhën ngjarjet më vonë, është për të ardhur keq që gjendja e ish të burgosurve politikë vazhdon të mbetet thuajse si në kohën pas rënies së bustit të Enver Hoxhës. Mendoj se e meta kryesore e mënyrës se si ata i kërkuan të drejtat e tyre qëndron në faktin se që në fillim ata nuk u ndërgjegjësuan, që ata ishin dhe janë edhe sot një forcë politike më vete. Nuk kuptuan se duhet të kishin krijuar një parti të ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikë. Me një fjalë ata mbetën jashtë skenës politike si personazh kryesor dhe determinues. Në përgjithësi, masa e të përndjekurve politikë ka votuar dhe vazhdon të votojë për atë parti me të cilën u lidh që në fillim. Prandaj mendoj se për sa kohë që ata nuk do të kenë forcën e tyre politike, problemet e tyre nuk kanë për t’u zgjidhur ashtu siç duhet. Ata do të vazhdojnë të marrin lëmosha prej secilës prej partive në pushtet, por zgjidhje të vërteta të problemeve të tyre mendoj se nuk do të ketë”.

Shkrimtari thotë se mes intelektualëve, ish të përndjekur politikë, ashtu si edhe mes gjithë ish të përndjekurve politikë të komunizmit ekziston një zhgënjim i madh.

“Më të zhgënjyerit prej tyre dolën idealistët, të cilët në një fazë të caktuar të historisë shqiptare, u ndodhën jo vetëm të zhgënjyer, por edhe të rrezikuar dhe nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të largimit nga atdheu”.

Zëri i Amerikës: Me që përmendët detyrimin e largimit të këtyre intelektualëve nga vendi i tyre, si e shikoni rolin e tyre?

“Së pari dua të them se intelektualët e diasporës, me të cilët kam pasur kontakte të vazhdueshme, nuk duan të vdesin pa u kthyer në Shqipëri, madje duan të kthen atje jo në prag të vdekjes. Megjithatë vihet re se mungon vullneti i pushtetarëve shqiptarë që ata të kthehen. Duket sikur kërkohet dhe është më komode që ata të mbahen larg lëvizjeve politike dhe kulturore në Shqipëri. Intelektualët e diasporës, duke qënë jashtë këtyre partive, janë në të vërtetë edhe jashtë lojës për zhvillimin e Shqipërisë”.

Zoti Noé, i cili ka punuar edhe si gazetar investigativ në Shqipëri, thotë se shtypi në vend është një aspekt tjetër i shoqërisë që nuk ndihmon proceset demokratike. Shtypi, thotë ai, u shërben intersave të partive politike.

“Sepse unë vë re atje një bipolarizim të shtypit sipas origjinës partiake dhe kontrollit që i bëhet shtypit, gazetave dhe televizionit. Të dyja partitë e kanë të qartë se cili është shtypi i tyre dhe cila është opozita e tyre. Unë mendoj se për sa kohë që të vazhdojë ky kontroll politik i mediave, për derisa forca politike e intelektualëve, veçanërisht e atyre jashtë atdheut, të mos ketë ndikim dhe të mos ketë të drejtën për të votuar dhe për derisa intetelektualët shqiptarë dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarët, që ndodhen jashtë atdheut, nuk do të votojnë, ata nuk do të kenë peshë politike në Shqipëri”.

Shkrimtari thotë se nuk është bërë sa duhet për institucionalizimin e çështjes së ish të përndjekurve. Ai thekson se vetë intelektualët ish të përndjekur politikë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet, jo vetëm për të zënë vendin e tyre në historinë e Shqipërisë, por edhe që kjo pjesë e historisë të dokumentohet saktë për brezat e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG