Lidhje

Shpërthim në një gjykatë në Athinë


Shpërthim në një gjykatë në Athinë
Shpërthim në një gjykatë në Athinë

Një bombë shpërtheu sot pranë një gjykate në Athinë të Greqisë duke thyer xhamat por pa shkaktuar viktima në njerëz. Zyrtarët thanë se pajisja ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar pranë gjykatës. Të paktën tetë makina u dëmtuan nga shpërthimi.

Bomba e fshehur në një motoçikletë të parkuar shpërtheu pranë dy ndërtesave të gjykatave në qendër të Athinës duke dëmtuar makina por pa pasoja në njerëz. Autoritetet thanë se shpërthimi i fuqishëm ndodhi në orën 8 e 20 pas një telefonate paralajmëruese ndaj një gazete dhe televizioni privat.
"Bomba ishte vendosur jashtë ndërtesës së gjykatës dhe shpërtheu në rrugë. Ishte një shpërthim i fuqishëm pasi shkatërroi të gjitha ndërtesat në bllok", thotë ky banor i Athinës.

Policia kishte evakuuar ndërtesat e vëna në shënjestër të cilat përdoren për qëllime administrative. Askush nuk e ka marr përgjegjësinë për shpërthimin por dyshimet bien mbi grupet militante greke të cilat kanë shtuar sulmet gjatë dy vjetëve të fundit. Të paktën 12 anëtarë të dyshuar të grupit anarkist të vetquajtur Konspiracioni i Bërthamave të Zjarrit do të dalin para gjykatës më 17 janar. Grupi ka pranuar organizimin në nëntor të sulmeve me pako-bombë në ambasada të huaja në Athinë dhe vende të tjera.

Një grup anarkist italian kreu shpërthime në disa ambasada javën e kaluar në Romë në solidaritet me militantët e burgosur grekë.

Sipas Europolit, sulmet nga grupet militante anarkiste të ekstremit të majtë në Bashkimin Evropian u shtuan 43 përqind në vitin 2009 krahasuar me një vit më parë. Po sot, ministria e jashtme greke tha se një pako e vogël shpërtheu në ambasadën greke në Buenos Aires të Argjentinës duke shkaktuar pak dëme. Autoritetet në Evropë dhe gjektë thonë se grupet anarkiste po bashkëpunojnë më shumë nga njëri vend në tjetrin.

XS
SM
MD
LG