Lidhje

Shpërthim në një vendkalim kufitar Kosovë-Serbi në veri

  • Zëri Amerikës

Shpërthim në një vendkalim kufitar Kosovë-Serbi në veri

Shpërthim në një vendkalim kufitar Kosovë-Serbi në veri

Zyrtarë të policisë së Kosovës thanë se në një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, ka ndodhur një shpërthim, por pa pasoja në njerëz. Sipas policisë, nga pasojat e këtij shpërthimi, është djegur zyra e një kompanie të sigurimeve kufitare në atë vendkalim, që ndodhet në komunën e Zubin Potokut, një nga komunat veriore më shumicë serbe.

Objekti i djegur ishte pronë e një kompanie sigurimesh të licencuar nga institucionet e Kosovës, të cilat nuk pranohen nga serbët në veri.

Ajo ishte e vendosur në njërën nga vendkalimet kufitare që ishin djegur në mars të vitit 2008 nga protestues serbë të zemëruar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Policia thotë se ende nuk dihet asgjë për autorët e mundshëm të këtij shpërthimi, i cili është cilësuar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Po sipas policisë, mbrëmë në një incident tjetër në Mitrovicë, janë lënduar tre qytetarë, dy serbë e një shqiptar, gjatë një përleshjeje ndërmjet tifozëve të dy ekipeve të basketbollit. Policia ka marrë në pyetje 11 persona, kurse ndaj tre personave të përfshirë në rrahje është ngritur kallëzim penal.

Incidenti kishte shpërthyer gjatë një loje ndërmjet ekipit shqiptar Trepça dhe atij serb Bambi, që është i vetmi ekip sportiv nga radhët e komunitetit serb i cili merr pjesë në veprimtaritë sportive të Kosovës.

XS
SM
MD
LG