Lidhje

Shpërthime vdekjeprurëse në Gjykatën e Lartë në Nju Delhi


Shpërthime vdekjeprurëse në Gjykatën e Lartë në Nju Delhi
Shpërthime vdekjeprurëse në Gjykatën e Lartë në Nju Delhi

Në Indi, një bombë e fuqishme shpërtheu sot jashtë ndërtesës së Gjykatës së Lartë në Nju Delhi, ku u vranë të paktën 11 persona dhe u plagosën rreth 76 të tjerë.

Policia tha se bomba ishte fshehur në një valixhe të vendosur pranë hyrjes kryesore të ndërtesës.

Shpërthimi ndodhi sot në mëngjes, ndërsa njerëzit prisnin për të hyrë në ndërtesën e gjykatës.

Autoritetet indiane thanë se po hetojnë lidhur me marrjen e përgjegjësisë përmes një e-maili nga grupi Harkat-ul-Xhihad al-Islami, që ka lidhje me Al Kaidën dhe që është aktiv në rajon. E-maili paralajmëronte se sulme të ngjashme do të zhvillohen edhe në gjykata të tjera të vendit, në se India nuk e shfuqizon vendimin për dënimin me vdekje të një personi, lidhur me sulmin e vitit 2001 ndaj Parlamentit indian.

Kryeministri indian Manhoman Sing, i cili ndodhet për një vizitë në Bangladesh, e dënoi sulmin si një veprim frikacakësh dhe i bëri thirrje popullit indian të qëndrojë i bashkuar për të mos e lejuar terrorizmin të fitojë. Edhe presidenti pakistanez Asif Ali Zardari, bashkë me kryeministrin Jusif Riza Gilani e dënuan sulmin dhe shprehën shpresën se autorët e tij do të nxirren para drejtësisë.

Sulmin në Indi e kanë dënuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Victoria Nuland, udhëheqësit britanikë dhe ata francezë.

XS
SM
MD
LG