Lidhje

Shpyllëzimi dhe ndryshimet klimatike

  • Zëri Amerikës

Shpyllëzimi dhe ndryshimet klimatike

Shpyllëzimi dhe ndryshimet klimatike

Dioksidi i karbonit – në sasi të mëdha – besohet nga shkencëtarët të jetë kontribuesi kryesor i ndryshimeve klimatike. Dioksidi i karbonit është një element që ndodh natyrshëm në atmosphere, por është gjithashtu një nënprodukt i djegies së karburanteve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Rebecca Ward thotë se ndërsa natyra jep mënyrat për të menaxhuar karbonin, ambientalistët janë të shqetësuar se mbrojtja më e mirë nga emetimi i gazeve që shkaktojnë efektin sere po shkatërrohet me shpejtësi.


David Cleaves është këshilltar për ndryshimet klimatike në Shërbimet Pyjore Amerikane.

"Në se do të të duhet të shpikësh një makinë për thithjen e karbonit, për të zbutur ndryshimet klimatike, forma më e mirë është mbjellja e një peme."

Zoti Cleaves thotë se pemët japin të paktën një pjesë të zgjidhjes për ndryshimet klimatike.

"Së pari, pemët marrin dioksidin e karbonit nga atmosfera, e shndërrojnë atë në karbon brenda vetë pemeës dhe e mbajnë për qindra vjet. Edhe në se një pemë shndërrohet në një produkt druri, karboni mbetet aty për shumë vjet, shumë dekada, ndoshta qindra vjet e më shumë."

Zoti Cleaves e pranon se është i dhënë pas pemëve. Por ai nuk është i vetëm. Pesë vjet më parë, Kombet e Bashkuara filluan një program në Konferencën për Ndryshimet Klimatike për Pakësimin e Emetimeve nga Shpyllëzimet dhe Degradimi i Pyjeve – që tani quhet REDD plus. Një nga zgjidhjet e diskutuara është një mekanizëm që jep fonde në bazë të rezultateve. Shira Yoffe që punon me Shërbimet Pyjore shpjegon.

"Vendet do të paguhen për përpjekjet që bëjnë për të pakësuar emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë përmes tokave pyjore. Ky plan është në procesin e negociatave dhe përqëndrohet kryesisht tek vendet në zhvillim."

Kombet e Bashkuara llogarisin se gati 20 përqind e emetimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë vijnë nga shpyllëzimet dhe degradimi i pyjeve. Amerika e Jugut dhe Afrika kishin nivelin më të lartë të shpyllëzimit, duke humbur më shumë se shtatë milion hektarë pyje përvit mes viteve 2000 dhe 2010. Një shpyllëzim i tillë thotë John Watkin me Institutin e Ruajtjes Ndërkombëtar ka pasoja përtej kufijëve të vendit.

"Baseni i Kongos është përgjegjës për rreshjet që rezultojnë në Liqenin Viktoria duke marrë 70 përqind të ujit drejtpërdrejt nga shiu që bie në të. Liqeni Viktoria është një nga burimet e Nilit. Në se ndodh shpyllëzimi i Basenit të Kongos përgjatë kësaj republike dhe në vende të tjera, do të shohim një pakësim të rreshjeve në liqen dhe në prurjet e Nilit. Kjo do të kishte pasoja të rënda për të gjitha vendet në veri drejt Mesdheut."

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Ruajtjes, gati 60 përqind e pyjeve në botë janë në vendet në zhvillim. Por 13 milion hektarë pyje zhduken çdo vit për bujqësi, strehim apo miniera. Përpjekje si Lëvizja e Brezit të Gjelbërt në Afrikë kanë ndihmuar në përmirësimin e nivelit të pyllëzimeve me theksin tek mbjellja e pemëve dhe bujqësi të qëndrueshme. Programe të tjera si ai i Shërbimeve Pyjore Amerikane kërkojnë t’i venë një vlerë çdo peme. Matthew Edwardsen është Koordinator i Programit për Afrikën me Shërbimin Pyjor Amerikan.

"Në Afrikën Qendrore përshembull, ne po punojmë nga afër me Gabonin dhe qeverinë atje për t’i ndihmuar për krijimin e një inventari për pyjet e tyre kombëtare. Për ta kuptuar më mirë se çfarë kanë. Këto vende duhet të dinë skemat e tregut të karbonit pasi duhet të dish çfarë ke para se të dalësh e ta shesësh atë që ke."

Zoti Edwardsen thotë se Shërbimet Pyjore Amerikane po punojnë shumë për të përshtatur menaxhimin e pyjeve me ndryshimet klimatike si brenda edhe jashtë kufijëve.

"Po përpiqemi të ndihmojmë individët ta kuptojnë këtë në Afrikë. Çfarë ndryshimesh do të sjellë në sistemin e prodhimit bujqësor ngritja e temperaturave në zona të caktuara në Ruanda apo Uganda? A do të rritet misri në një nivel të caktuar dhe në se jo ku mund të lëvizin njerëzit dhe si do ta përshtatësh menaxhimin e një zone të mbrojtur për të kuptuar këto lëvizje të mundshme të njerëzve? Pra ne po ndihmojmë politikbërësit të kenë një kuptim më të qartë të situatës."

Kështu ndërsa shpyllëzimi ndikon në ndryshimet klimatike, një klimë më e ngrohtë apo më e ftohtë ndikon edhe tek pyjet.


"Ne e dime se pyjet këtu po evolojnë dhe po lëvizin më në veri, larg temperaturave më të ngrohta që i ndjekin… zjarret janë dyfishuar, ndërsa problemet e insekteve dhe të sëmundjeve janë shtuar si pasojë e thatësirave gjatë 15 vjetëve të fundit. Pra kemi shumë më tepër hektarë që duhen rigjeneruar," thotë zoti Cleaves.


Për shkak të përpjekjeve të rimbjelljeve, humbja neto e pemëve është ngadalësuar. Azia ka rritur në fakt zonat pyjore me më shumë se dy milionë hektarë në vit gjatë 10 vjetëve të fundit. Nigeria ka një nga nivelet më të larta të shpyllëzimeve në botë. Por Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se është Brazili që humbet më shumë tokë pyjore – më shumë se dy milion e gjysmë hektar tokë në vit.

XS
SM
MD
LG