Lidhje

Shqetësime nga rrezatimi bërthamor

  • Melinda Smith

Shqetësime nga rrezatimi bërthamor

Shqetësime nga rrezatimi bërthamor

Lajme të reja të përditshme rreth krizës në reaktorin bërthamor në Japoni kanë rizgjuar frikën globale në lidhje me rreziqet e ekspozimit ndaj rrezatimit. Ndërkohë disa shkencëtarë thonë njeriu bombardohet çdo ditë nga rrezatime të shumta që nga rrezet X e deri tek ato të diellit.

Kjo është pamja klasike e resë në formë kërpudhe nga një film i herëshëm që shumë njerëzve u kujton garën e armëve bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë, dhe frikën nga një shpërthim i mundshëm. Më shumë se 60 vjet më parë, kamera regjistroi provën e një prej armëve të para bërthamore në shkretëtirën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara. Më parë, dy bomba atomike amerikane kishin shkatërruar Hiroshimën dhe Nagasakin për të sjellë fundin e luftës së dytë Botërore. Më vonë, amerikanët dhe sovjetikët mësuan të frikësohen nga njëri-tjetrit. Fëmijët mësoheshin të strukeshin nën bankat e shkollës për t'iu shmangur rrezatimit në rast të një sulmi bërthamor.

Edhe më vonë kur filloi të përdorej për qëllime civile, energjia bërthamore shihej me frikë si një armë shkatërrimi në masë, ndërsa paraqitej si burim i pastër dhe prodhues thuajse pa kufi i energjisë elektrike. Por dy fatkeqësitë bërthamore - në vitin 1979 në centralin Tre Mile Island në Shtetet e Bashkuara dhe në 1986 në reaktorin sovjetik të Çernobilit, rindezën frikën e ekspozimit publik ndaj rrezatimit.

Shkencëtari rus Alexey Yablokov është ekspert për sigurinë bërthamore. Ai thotë se Çernobili çliroi në atmosferë një mijë herë më shumë grimca radioaktive sea reaktori në Three Mile Island, dhe qeveria sovjetike humbi kohë të çmuar duke e mbajtur të fshehtë këtë shpërthim. Mijëra jetë humbën, thotë ai, dhe pasojat e rrezatimit në njerëz janë të dukëshme edhe sot, 25 vjet më vonë.

"Disa breza janë ndikuar nga Çernobilit:. Dëmi gjenetike, dëmi shëndetësor është i madh. Është e pamundur të harrohet Çernobili."

Dhe tani, fatkeqësia bërthamore e Japonisë në kompleksin e reaktorit në Fukushima edhe një herë ka ngritur ankthin global ndaj rrezatimit. Por a janë reale këto frika?

Gerald Epstein i Shoqatës Amerikane për Përparimin e Shkencës thotë se shumë njerëz nuk e dijnë se ne sot jemi të zhytur në një det rrezatimi të nivelit të ulët.

"Gjithë jeta në planet ka evoluar mes këtij rrezatimi. Çfarëdo efektesh ekzistojnë, kanë qenë gjithmonë aty. Pyetja që shtrohet është; A jemi në rrezik nga ndonjë rrezatim që mund të çlirohet nga një reaktor bërthamor? Në pothuajse çdo situatë, pavarësisht rrezikut në rritje, rreziku është i vogël. "

Çdo udhëtarë sa herë që kalon nëpër aparatin skanues të sigurisë në aeroport ekspozohet ndaj rrezatimit. Ndërsa aeroplani ngrihet lart, të njëjtët udhëtarë marrin doza të pakta rrezesh kozmike.

Epstein thotë se rrezatimi natyral ekziston në gurë që ne përdorim për të ndërtuar shtëpitë tona, dhe në tokën ku ngrihen ato. Rrezatime njeriu merr nga teknologjitë mjekësore si rrezet x dhe aparatet mjekësore të skanimit CT.Rrezatim njeriu merr edhe nga potasiumi që gjendet në disa fruta e perime.

Menjëherë pas katastrofës bërthamore në Japoni, shumë farmaci në SHBA u ndeshën me kërkesa të shumta të konsumatorëve për kapsula jodur kaliumi për t'u mbrojtur nga jodi radioaktiv që çlirohet nga një reaktor bërthamor.

Epstein thotë se përpjekja për të mbrojtur nuk sjell asnjë dëm, por kur njerëzit përpiqen të shmangin një dëm të madh, ata harrojnë se dëmi më i madh mund t'u vijë nga një drejtim tjetër.

Epstein parashikon se shumë vende tani do t'i shqyrtojnë më mirë planet për të ndërtuar reaktorë bërthamorë në të ardhmen e afërt. Nëse këto vende heqin dorë nga energjia bërthamore, burime të tjera energjigjie elektrike mund të gjenden, megjithëse burime me rreziqet e mundshme të shëndetit publik të tyre. Por do të jetë publiku që të vendosë se çfarë niveli rrezikut mund të tolerojë.

XS
SM
MD
LG