Lidhje

Shqetësime për një krizë të re ekonomike në Evropë

  • Zëri Amerikës

Shqetësime për një krizë të re ekonomike në Evropë

Shqetësime për një krizë të re ekonomike në Evropë

Papunësia në Greqi është rritur në shifra thuajse rekord, ndërkohë që punëtorët përgatiten për një grevë të përgjithshme dy-ditore për të protestuar kundër planit të qeverisë për të shkurtuar pagat dhe për të eleminuar 30.000 vende pune të shërbimit civil.

Greqia njoftoi sot se niveli i papunësisë arriti 16.5 për qind në korrik, pothuajse sa rekordi i vendosur në maj.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë mblidhen këtë fundjavë në Bruksel për të diskutuar mbi masat e nevojshme për të parandaluar një krizë të re ekonomike.

Paralajmërimet e agjencisë së kreditimit Moody’s për ulje të vlerësimit për tregun francez, kanë shkaktuar panik tek investitorët dhe kanë vënë udhëheqësit e eurozonës para një presioni të ri për gjetjen e një zgjidhjeje këtë fundjavë.

Shqetësimet për një krizë të re ekonomike në Evropë kanë goditur rëndë tregjet e aksioneve. Çmimet e aksioneve ranë sot për të dytën ditë radhazi në bursën e Frankfurtit, pasi investitorët po përpiqen të minimizojnë rrezikun nga aksione të paqëndrueshme pas paralajmërimit dje për statusin financiar të Francës.

Udhëheqësit evropianë do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje këtë fundjavë në takimin e tyre në Bruksel.

Ideja është se shpëtimi qëndron në një tjetër paketë ndihmash për vendet me problemet të të mprehta nga borxhet. Por mospajtimet lindin kur diskutohet se kush do të ofrojë fondet për një paketë të tillë.

Paketa që mund të diskutohet, shoqërohet me kushte të forta mbi sektorin financiar për nivelin e kapitalit të rrjedhshëm, si dhe rregulla të forta mbi mënyrat si të përdoren fondet e ndihmave. Vetëm pak ditë nga takimi, hollësitë nuk janë bërë publike ende.

Ndër shqetësimet kryesore mbetet Greqia, e cila nëse falimenton në përmbushjen e detyrimeve të saj financiare, mund të sjellë trazira edhe më të mëdha në tregun financiar.

Autoritetet në Athinë po përpiqen të zbatojnë shkurtime të thella buxhetore që kanë zgjuar revolta masive. Sot punonjësit e hekurudhave dhe gazetarët iu bashkuan grevave, që kanë bllokuar për të dytën ditë tragetet që udhëtojnë drejt ishujve.

Ndërkaq, pirgjet me plehëra po zmadhohen, pasi grumbullimi i tyre është ndërprerë prej 17 ditësh në shumë qytete.

Revoltat popullore synojnë të ushtrojnë presion mbi ligjvënësit që sot do të hedhin në votë një numër masash për shkurtime të mëtejshme të rrogave dhe pensioneve.

XS
SM
MD
LG