Lidhje

Shqetësime për zgjerim të mëtejshëm të krizës në Eurozonë

  • Zëri Amerikës

Shqetësime për zgjerim të mëtejshëm të krizës në Eurozonë

Shqetësime për zgjerim të mëtejshëm të krizës në Eurozonë

Zhvillimet e fundit në Eurozonë janë pasuar me thirrje nga disa ekonomistë për të braktisur monedhën e përbashkët euro dhe për t’u kthyer në politika të pavarura monetare. Por sot në një takim të drejtueve të biznesit, politikës dhe financave në Frankfurt, pjesëmarrësit shprehën besimin tek euroja, por theksuan se kriza e fundit është një këmbanë alarmi për veprime më të vendosur dhe të shpejta nga udhëheqësit evropianë.

Presidenti i ri i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi theksoi sot para një grupi me drejtues të biznesit, politikës dhe ekspertë të ekonomisë se stabiliteti financiar mund të arrihet përmes politikave të shëndosha ekonomike në nivel kombëtar:

“Politikat kombëtare ekonomike janë kyçe për rivendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Reformat në sektorin e financave me synimin për të nxitur rritje dhe konkurrencë si dhe hapjen e vendeve të punës janë esenciale”.

Presidenti i ri i Bankës Qendrore Evropiane shprehu irritim nga reagimi i ngadaltë i udhëheqësve evropianë për zgjidhjen e krizës.

Takimi i sotëm u organizua nga Commerzbank dhe Deutsche Bank me synimin për të analizuar gjendjen në një kohë kur kërcënimi i falimentimit financiar vazhdon t’i kanoset Italisë dhe Spanjës. Josef Ackerman, shefi ekzekutiv i Deutsche Bank fajëson pasivitetin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian për zgjerimin e krizës:

“Kush do ta kishte imagjinuar se do t’i vinte radha FMN-së që të kontrollonte zbatimin e reformave në vende anëtare të Eurozonës? Nëse të gjitha këto nuk e zgjojnë nga gjumi Evropën, nuk e di se çfarë duhet të ndodhë tjetër që Evropa të lëvizë dhe ta tregojë veten si zot i fatit të saj”.

Kriza aktuale ka vënë në pikëpyetje efektshmërinë e euros dhe politikave të përbashkëta monetare, me thirrjen nga disa ekonomistë për t’u kthyer tek sistemi i monedhave kombëtare. Por Shefi Financiar i kompanisë Siemens, Bernd Oiler u kundërvihet këtyre thirrjeve:

“Euroja është një bazë e fortë për rritjen dhe stabilitetin në Evropë dhe ka krijuar 9 milionë vende të tjera pune, prandaj duhet ta mbrojmë monedhën e përbashkët”.

Tani investitorët i kanë sytë tek Spanja, ku të dielën mund të ketë ndryshime rrënjësore në administratën e vendit, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme.

XS
SM
MD
LG