Lidhje

Shqipëri: Akuza për trafikim droge ndaj ushtrisë


Në Shqipëri parlamenti u përfshi sot në polemika mes qeverisë dhe opozitës lidhur me akuzat e kësaj të fundit se baza të ushtrisë janë përdorur për trafikun e lëndëve narkotike. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se nuk ka asnjë provë apo fakt të verifikuar për përfshirjen e strukturave të ushtrisë në aktivitete kriminale. Por opozita këmbënguli duke deklaruar se në bazën ushtarake të Gjadrit, në veri të vendit, janë ulur avionë civil. Nga ana e tij prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla tha se lidhur më ketë cështje institucioni që ai drejton është në fazën e verifikimeve paraprake.


Prej disa ditësh opozita shqiptare po këmbëngul për përfshirjen sipas të saj të ushtrisë në trafikun e drogës. Fillimisht ajo ju përmbajt deklarimeve për përdorim të infrastrukturës së ushtrisë për këtë qëllim duke kërkuar që ministrja e Mbrojtjes dhe kryeministri të përgjigjen nëse kanë informacion apo jo. Më pas përfaqësues të saj avancuan duke folur për avion që janë ulur ne bazën ushtarake të Gjadrit.

Ndërsa foli për një sulm të turpshëm ndaj forcave të armatosura, Ministrja Mimi Kodheli deklaroi sot se nuk ka asnjë provë të vërtetuar për përfshirjen e ushtrisë në trafiqe: “Nuk ka asnjë provë të vetme dhe fakt të vërtetuar që Forcat e Armatosura, apo bazat e ushtrisë shqiptare janë të implikuara në veprime kriminale për të cilat është folur kaq shumë këtë javë dhe për të cilat ju Forcat e armatosura i keni akuzuar. Dhe nuk keni akuzuar vetëm FA-të por gjithë këtë vend. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt, zero”.

Por ish kryeministri Sali Berisha i cili mori fjalën pas ministres Kodheli e akuzoi atë se po mashtronte: “Shërbimet inteligjente të ushtrisë, dhe shërbimet e tjera ushtarake, sipas burimeve të pakundërshtueshme të Forcave të armotosura, kanë informuar me kohë të përbetuarën tuaj këtu para ju mbi gënjeshtrën se kjo pondodh. Nëse zonja është kaq e sigurtë le të pranojë të paraqitet në komision ku asaj do i jipen të gjitha të dhënat dhe të provojë se me cfarë papërgjegjshmërie i lejon vetes të mashtrojë të gjithë shqiptarët”

Pas tij ish ministri i Mbrojtjes Arben Imami foli për një avion të ulur në bazën e Gjadrit: “Po pyeteni prej një jave, A keni informacion që infrastruktura e ushtrisë është përdorur për trafikim drogash? Nuk po sulmon njeri forcat e armatosura. Po themi që ju, që kjo qeveria ka shtuar në mënyrë marramendëse trafikun e drogës derisa të shkojë deri aty sa të përdori edhe infrastrukturën ushtarake. Në datën 19 mars, në orën 7 të mëngjesit, ditën për diell, ishte një avion i bardhë, i cili vjen e ulet shpesh herë, dhe kjo ishte pika e fundit pasi është raportuar dhe më parë”

Gjatë fjalës së saj më parë ministrja Kodheli ishte shprehur se ishte e kufizuar të shkonte më tej: “Detyra dhe natyra shumë specifike e punës që kam nderin të bëj, e kufizon mundësinë time për ti larë sot “hesapet politike” në këtë sallë, dhe për tia thënë në sy, ndokujt këtu e ndokujt jashtë këtyre mureve, të gjitha të vërtetat e mia si politikane për shpifjet e turpshme të kësaj jave”.

Por këtë e bëri deputeti socialist Erion Brace sipas të cilit shërbimet sekrete i kanë kaluar dokumenta në mënyrë të paligjshme partisë demokratike, dokumenta në të cilat ai gjithashtu këmbënguli se nuk ka asnjë provë: “Dhe pikërisht se është kështu, secili prej tyre nuk është në gjendje ti ofrojë këti jkuvendi, si të duan, nëpër komisione apo këtu në seancë plenare, sy e faqe gjithë qytetarëve, një provë të vetme që të mbështesë apo materializojë akuzën e tyre. E gjitha kjo është një histori banale”

Që në fillim të akuzave publike për dyshimet e përfshirjes së ushtrisë në trafik droge ministrja kodheli kishte kërkuar që Prokuoria të hetonte mbi cështjen. Sot kryeprokuori Adriatik Llalla shpjegoi se: “Jemi në fazën e verifikimeve paraprake. Prokuroria do ti kërkojë të gjithë deputetëve të cilët kanë ngritur dyshime lidhur me mundësitë e traffikimit të lëndëve narkotike nga mjetet e ushtrisë të paraqesin faktet të cilat deklarojnë se disponojnë. Po kështu do u kërkohet të gjithë institucioneve të specializuara, përfshirë shërbimin e inteligjencës së ushtrisë, shërbimin informativ shtetëror dhe Drojtorinë e përgjithshme të policisë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG