Lidhje

Shqipëri: Vazhdojnë përpjekjet për dialog mes forcave politike


Shqipëri: Vazhdojnë përpjekjet për dialog mes forcave politike
Shqipëri: Vazhdojnë përpjekjet për dialog mes forcave politike

Presidenti i Shqipërisë dhe diplomatët perëndimorë vazhduan edhe dje përpjekjet për të zbutur tensionet dhe për të ulur forcat politike në tryezën e dialogut.

Ambasadorët e vendeve antare të NATO-s dhe të Bashkimit Europian zhvilluan në mbrëmje një takim të zgjeruar me drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të opozitës. Tema e përgjithshme mësohet se ka qenë situata e rëndë që pasoi ngjarjet e dhunshme të ditës së premte.

Nga selia e Partisë Socialiste nuk mësohen shumë detaje nga ky takim ku morën pjesë edhe disa deputetë të kësaj partie, ndërsa kryetari i saj, Edi Rama, tha në një konferencë shtypi se të premten në mesditë se Partia Socialiste do të organizojë një tjetër tubim në kryeqytet.

Takime të ngjashme me diplomatët e organizatave euro-atlantike zhvilloi një ditë më parë edhe kryeministri Sali Berisha ku u diskutua mbi marrëdhëniet me opozitën dhe situatën e krijuar nga dhuna e tubimit të të premtes.

Ndërkombëtarët u kanë kërkuar partive politike dhe qytetarëve shqiptarë që të rikthehen të paqja dhe dialogu për të gjetur rrugëdaljen nga problemet e vështira. Zoti Berisha tha se i ka ftuar qytetarët në një tubim paqësor kundër dhunës ditën e shtunë, një ditë pas tubimit të opozitës.

Presidenti Bamir Topi u takua po ashtu me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në bashkëbisedim me të cilin u shpreh se kishte një shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar dhe nënvizoi se “është e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft i rëndësishëm për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Presidenti Topi tha në takimin e kërkuar zoti Rama se vendi ka nevojë urgjente që të mbizotërojë maturia e dialogu. Ai u kërkoi forcave politike që të vënë interesat e vendit dhe të popullit shqiptar mbi gjithçka tjetër, sepse, si u shpreh ai, “institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu si edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve.

Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale”. Zoti Topi mbështeti zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG