Lidhje

Shqipëri: Parlamenti miratoi buxhetin pas një seance maratonë


Shqipëri: Parlamenti miratoi buxhetin pas një seance maratonë

Shqipëri: Parlamenti miratoi buxhetin pas një seance maratonë

Parlamenti shqiptar miratoi rreth orës 5.00 të mëngjesit të sotëm projektbuxhetin e shtetit për vitin 2011, pas 20 orë debatesh të pandërprera midis deputetëve demokratë e socialistë.

Në këtë seancë maratonë ligji i buxhetit u miratua me 74 vota pro dhe një kundër. Nuk u gjet një gjuhë e përbashkët për të marrë edhe votat e opozitës, por mori vetëm votat e shumicës.

Në diskutime morën pjesë pothuaj të gjithë deputetët pro dhe kundër buxhetit të ri, një palë duke vlerësuar investimet në infrastrukturë, tjetra duke kritikuar për mungesë transparence dhe realizmi.

Menjëherë pas votimit të ligjit të buxhetit parlamenti nisi në 4.30 një interpelancë të kryeministrit Sali Berisha të kërkuar nga Partia Socialiste.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, u bëri thirrje forcave kryesore që të gjejnë kompromisin në dobi të vendit dhe të bashkëpunojnë për reformat europiane.

Zoti Topi deklaroi i ftuar në studiot e tv Klan, se ai kishte dhënë dhe po jepte ndihmesën e vet për të arritur mirëkuptimin dhe për të tejkaluar ngërçin politik njëvjeçar.

"Është për të ardhur keq, tha ai, se reforma zgjedhore po vonohet si herët e tjera, ndërsa zgjedhjet po afrohen."

“Po ndodh ajo që ka ndodhur edhe herë të tjera. Edhe kur kam qenë deputet në parlament kam konstatuar se ne zgjidhjet i bëjmë në moment të fundit.

Gjithë reformimet e kodeve zgjedhore marrin nota triumfatore vetëm e vetëm se bëhen në momentin e fundit, në ditën e fundit, të seancës së fundit të legjislaturës së parlamentit.

Një vend i konsoliduar reformat i bën në kohë dhe pas miratimit të ligjit, nis me zbatimin në kohë të tij. Në rast se reformat bëhen me sforco, edhe trajtimi bëhet si në rastet e urgjencave” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi u kërkoi partive politike që të heqin dorë nga ideja e bojkotit të zgjedhjeve të majit, sepse, sipas tij, kjo do të ishte një vendim i pamatur në dëm të demokracisë.

“Patjetër do të ishte një humbje shumë e madhe për demokracinë shqiptare. Do të ishte një veprim i pamatur për cilindo që braktis zgjedhjet, sepse Shqipëria sot është më e monitoruar se kurrë pikërisht për shkak të klimës politike.

Unë në cilësinë e Presidentit të Republikës do t’u bëj thirrje që me ndërgjegje të plotë dhe me vullnet të mirë duhet të ulen dhe t’u largohen pozicioneve ekstreme, duhet të gjejmë pikat e kontaktit. Kjo nuk do të thotë që të unifikojnë programet apo interesat, por interesi madhor është që të gjejnë dialogun, të gjejnë mundësinë e modifikimit të kodit dhe patjetër të futen në zgjedhje duke garantuar pastaj edhe cilësinë e zgjedhjeve.

Çdo përpjekje për t’iu shmangur zgjedhjeve është përpjekje për të anatemuar pastaj tërë sistemin demokratik në Shqipëri” - tha zoti Topi.

Jeta politike në Shqipëri është vështirësuar prej një viti e gjysmë kur demokratët dhe socialistët nuk po gjejnë mirëkuptimin për të hetuar zgjedhjet e vitit 2009.

Opozita ka shprehur dyshime se në kutitë e zgjedhjeve janë mbyllur manipulime që nuk duhen përsëritur më në zgjedhjet e ardhshme, por qeveria deklaroi se hetimi mund të fillonte me një vendim gjykate.

Tani opozita socialiste deklaroi se për hetimin do të mjaftojnë vetëm kutitë e materialeve zgjedhore, dhe se nuk po kërkonte më kutitë e fletëve të votimit.

XS
SM
MD
LG