Lidhje

Shqipëria gjatë vitit 2013


Zgjedhjet e 23 qershorit ishin ngjarja kyce për vitin 2013. E djathta lë pushtetin pas 8 vitesh, ndërsa udhëheqësi i saj Sali Berisha detyrohet të tërhiqet nga drejtimi i partisë demokratike, pas humbjes së thellë. Zgjedhjet morën vlerësime pozitive, por vendi sërish nuk mund të marrë Statusin kandidat edhe këtë herë. Ndërsa kriza ekonomike dominoi debatin publik thuajse gjatë gjithë vitit
Viti 2013 në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:17:00 0:00


ZGJEDHJET E
23 QERSHORIT
Procesi i zgjedhjeve u parapri si zakonisht nga polemika e dyshime të forta që nisën që në fillim të vitit me numrin e ndarjes së zonave, apo dhe të shpërndarjes së mandateve për të cilat shumica e djathtë u angazhua të merrte një vendim në parlament, duke lënë në fuqi skemën e 2009. Por momenti përcaktues i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, do të ishte rikthimi i Lsi-së në kampin e majtë

Pas katër vitesh bashkëekzistence, më 1 Prill, kryetari i LSI-së Ilir Meta, doli pak pas mesditës nga zyra e kryeministrit Sali Berisha pasi i kishte njoftuar largimin nga qeveria.
Kryeministri do të flasë vetëm të nesërmen duke vlerësuar se vendimi i LSI-së ishte pa pasoja: “Në këtë jetë, martesat dhe divorcet, janë bërë ligjësi”.
Kryetari socialist Edi Rama po në të njejtën ditë do të formalizonte ftesën për LSI-në: “Tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt i kryer edhe nga vetë kundërshtari ynë politik, të vijë në koalicionin tonë parazgjedhore me partinë socialiste”.
Një ditë më pas, zoti Meta shqipton përgjigjen e pritshme: “Lëvizja socialiste për Integrim ka vendosur të pranojë ftesën e PS për koalicion parazgjedhor me të”.
Mes palëve do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit pas tre javësh në Shkodër, me 22 Prill, me bekimin edhe të së majtëve europianë

Ky ribashkim do të ngjallë shumë diskutime, vecanërisht për aspektin moral, duke qenë se deri një vit më parë, zoti Meta ishte treguar me gisht si armiku që duhej mundur së bashku me kryeministrin. Por për zotin Rama “Sot duhet bashkim. Askush që do rrotacionin nuk duhet t’i trembet bashkimit”.

I gjithë debati do të zgjasë vetëm pak ditë. Për ta shuar atë dhe për ta mpiksur afrimin mes palëve, do të shërbejë ndërhyrja e fortë e së djathtës për të zëvëndësuar në Komisionin qëndror të Zgjedhjeve anëtarin e LSI-së. Vendimi i cili do të merret nga parlamenti më 15 Prill, fut në krizë KQZ-ën. Anëtarët e propozuar nga e majta, japin dorëheqjen njëri pas tjetrit. Situata vë në alarm ndërkombëtarët, të cilët vënë hapur në dyshim procedurën e zgjedhur nga e djathta. Përpjekjet për zgjidhje dështojnë. Kqz do të mbetet me 4 anëtarë gjatë gjithë procesit, por pa pasoja të forta mbi të.

Fushata do të zhvillohet përgjithësisht e qetë. Ajo do të dominohet nga dy figurat kryesore politike, zoti Berisha dhe Rama, të cilët bëjnë ndryshime të thella në listat e deputetëve. Gjatë fushatës ata do të ndërmarrin takime të njëpasnjëshme në të gjithë vendin.Taktikat elektorale do vënë përballë dy blloqe të mëdha. Socialistët krijojnë një front të gjerë koalicioni me 37 parti. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë po aq historike sa zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992”, deklaroi zoti Rama më 19 Maj.

Demokratët nga ana tjetër do të përfshijnë në koalicionin e tyre 24 parti të tjera.
“Fitore të thellë të shkëlqyer. Do të përsëritet viti 1992”, ishte shprehur më parë më 23 prill në zyrtarizimin e koalicionit të djathtë kryeministri Sali Berisha.

Aleanca Kuqezi dhe Fryma e re demokratike e ish presidentit Bamir Topi, garojnë të vetme e mbeten jashtë parlamentit, kjo e fundit e penalizuar nga sistemi elektoral.

Dita e zgjedhjeve do të nisë me një ngjarje të rëndë, ku në Lac, një simpatizant i LSI-së do të vritet në një shkëmbi zjarri nga ku do të mbetet i plagosur edhe kandidati demokrat. Ngjarja edhe sot ka mbetur e pazbardhur.

Pjesa tjetër e procesit mori vlerësime pozitive edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zyrtarisht rezultati do të dalë në gusht, për shkak të ankimimeve. Por kjo ishte ana formale. Diferenca mes palëve kishte qenë befasuese për këdo. E djathta mundi të kryesojë vetëm në Kukës e Lezhë, duke humbur në pjesën tjetër të vendit, edhe në bastione të tilla si Shkodra. Ajo do të reduktohej ndjeshëm me 57 vende, e vecanërisht demokratët që zbritën në 46 deputetë. E majta mori 83 vende në parlament, me 300 mijë vota diferencë. Vetëm Lsi do të ketë 16 deputetë.
“Unë do të jem kryeministri juaj por dhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do të jetë e imja, pushteti do të jetë i juaji”, do të premtojë nga selia e Partisë së tij, dy ditë pas zgjedhjeve, kryetari socialist Edi Rama.

Brenda toneve të qeta të deklaratës nuk mungoi edhe një mesazh për kundërshtarin e tij Sali Berisha: “Une dua ta falenderoj atë cdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësoj nesër me një objektivitet më të madh se unë sot dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.

Të nesërmen do të jetë radha e kryeministrit Berisha: “Duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve, mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë”.


HUMBJA E PD
IKEN BERISHA

Por fjalimi i tij do të mbetet në kujtesë për vendimin që ai shpalli, tërheqjen nga drejtimi i partisë demokratike, forcës së cilës në më shumë se 20 vjet ai I kishte dhënë imazhin dhe zërin e tij. Për pasuesin e zotit Berisha u thirr të vendoste anëtarësia, megjithatë zgjedhja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte për shumëkënd e parashikueshme

“Duke marrë përgjegjësitë që vërtetë më takojnë, më një vendim të prerë kam vendosur të japë dorëheqjen nga të gjithë funksionet e mia në forumet e Partisë demokratike”, deklaroi zoti Berisha ndërsa turma e mbështetësve brenda dhe jashtë selisë së partisë shprehnin mosaprovimin e tyre ndaj këtij vendimi.

Dy ditë më pas zoti Berisha do të mbledhë kryesinë për të hapur garën për kryetarin e partisë përmes sistemit një anëtar një votë. Treshja drejtuese pas tij, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Jozefina Topalli, nuk do të futen në garë. Vetë zoti Berisha premton se nuk do të rekomandojë asnjë kandidat për pasuesin e tij dhe kërkon që figurat drejtuese të partisë të mos përfshihen në fushatë.

I pari që do të paraqesë kandidaturën do të jetë ministri i Transporteve Sokol Olldashi, më 2 Korrik: “Pas një takimi që kam zhvilluar dje me kryetarin e partisë Sali Berisha, i jam drejtuar sot kryesisë së partisë, me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për funksionin e kryetarit të PD”.

Një ditë më pas do të jetë zoti Basha: “Pas një bisede me kryeministrin Sali Berisha, jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira të jetës sime, por edhe më të kthjellta. Vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë demokratike”.

22 korriku caktohet si dita e votimit. Të dy kandidatët nisin një tur, ku evitojnë të bëjnë analizën e humbjes në zgjedhje, por këmbëngulin në nevojën e përfshirjes së anëtarësisë në vendimarrjen e partisë. Ndërsa zoti Basha vuri në dukje sukseset e tij si ministër gjatë viteve të qeverisjes dhe faktit që arriti të fitonte Bashkinë e Tiranës, zoti Olldashi i mëshonte të qenurit një anëtar i orëve të parë të partisë demokratike, që nuk kishte shijuar vetëm pushtetin por kishte luftuar edhe në opozitë.

Nga jashtë dukej se gjithshka shkonte normalisht. Por problemet do të shfaqen ditën e votimit, ku u përfshinë më pak se gjysma e anëtarësisë. Sinjalet e para të pakënaqësisë ndaj garës, zoti Olldashi i dha në mbyllje të procesit të votimit: “Votova me fletën 41302. Dua të falenderoj të gjithë demokratët për procesin e sigurisht edhe të gjithë kandidatët rivalë”.

Zot Basha fitoi me një rezultat të thellë, me 80 përqind të votave. Fitorja u njoftua të nesërmen e votimit, më 23 korrik, nga vetë zoti Berisha: “U zgjodh me një votë plebishitare”.
Kryetari i ri demokrat do të premtojë: “Ne do të ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore por edhe alternative”.
Ndërsa pak më vonë rivali në garë Olldashi do të shpërthente: “Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD u bë përmes një procesi të deformuar”.

Edhe nënkryetari Astrit Patozi do të fliste për një garë me fitues të paracaktuar. Zoti Basha preferoi të qëndronte larg polemikave. Sfida e tij e ardhshme brenda partisë demokratike do të ishte me hijen e rëndë të zotit Berisha, i cili sic kishte premtuar, vazhdoi të qëndronte aktiv e t’i jepte shpesh tonin opozitës në sallën e parlamentit, të cilën kryetari aktual e ndjek nga jashtë. Më 20 Nëntor demokratët do të humbasin një prej figurave kryesore, Sokol Olldashin i cili vdes tragjikisht në një aksident automobilistik.


E MAJTA
NE PUSHTET

Marrëdhëniet me shumicën e re do të jenë të tensionuara, që përpara zyrtarizimit të saj. E majta kundërshtoi hapur disa nga vendimet e qeverisë në javët e fundit të saj. Përplasjet mes palëve do të jenë të shpeshta më pas edhe në sallën e parlamentit.

I dekretuar si kryeministër më 10 shtator, zoti Rama do të paraqesë programin një ditë më pas, ndërkohë që strukturën dhe përbërjen e kabinetit të tij e kishte shpallur që në korrik. 5 poste ministrore ju besuan LSI-së, asnjë nivel i lartë për aleatët e tjerë. Zoti Ilir Meta u vu në krye të parlamentit.

Gjatë prezantimit të programit e djathta largohet në shenjë proteste ndaj gjuhës së ashpër që sipas saj kryeministri përdori ndaj opozitës. Katër ditë më pas, zoti Rama do të marrë besimin e parlamentit, mes akuzave të opozitës e cila paralajmëronte për një skenar grek.
“Puna juaj është fjalë dhe ne do u dëgjojmë. Fjalë jonë është puna dhe ju do na shikoni. Faleminderit”, u shpreh zoti Rama në mbyllje të fjalës së tij.

Menjëherë më pas betimi në presidencë e pastaj rruga më këmbë drejt godinës së qeverisë, në shkallët e së cilës Rama do t’i drejtohet qytetarëve të mbledhur para saj: “Këto zyra dhe të gjitha zyrat do të jenë tonat, por pushteti do të jetë përsëri i juaji”.

Ndër vendimet e asaj dite është anullimi i ligjit për impostin e mbetjeve, por edhe heqja e fotos së presidentit nga zyrat e shtetit dhe zëvendësimi me portretin e Ismail Qemalit, një vendim që do të shkaktonte debate, sikundër edhe të tjera në ditët që do të pasonin. Polemika do të provokojë edhe akti normativ për shtyrjen e hyrjes në fuqi të efekteve të ligjit për nëpunësin civil. Për opozitën “motivi është spastrimi i administratës. Godet në palcë konsensusin politik si vlerë”, deklaroi kryetari i PD-së Lulzim Basha.
Por sipas qeverisë, e cila pati dhe mbështetjen e Brukselit, “ky akt normativ, nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prishje të asnjë konsensusi, por është shprehje e përgjegjshmërisë për t’i dalë përpara vakuumit absolut ku do të gjendeshim”, u shpreh zoti Rama në parlament. Akti normativ do të rrëzohet në dhjetor nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së partisë demokratike.

Lëvizje të forta do të regjistrohen në polici ku ndryshojnë të gjitha strukturat drejtuese të saj, ndërsa Garda e Republikës shkrihet. Opozita proteston ashpër.
Një aksion kundër ndërtimeve pa leje do të ndërmerret në të gjithë vendin. Kryebashkiaku I Vlorës Shpëtim Gjika do të vihet nën akuzë për dy pallate në qytet. Po në Vlorë shembja e një kompleksi në breg të detit do të shkaktojë zhurmë duke qenë se mes pronarëve ishte dhe vjehrri I kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Qeveria më parë vendosi kompensimin financiar.

Por Shqipëria do të vihet në qendër edhe të vëmendjes ndërkombëtare për mundësinë e shkatërrimit në territorin e saj të arsenalit kimik të Sirisë. Ndërsa shtypi i huaj kishte ditë që fliste, po në një gazetë ndërkombëtare, atë franceze Le Monde, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati do të pohojë se Tirana ishte kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara për këtë operacion.

Në vend nisin protestat që do të shtrihen ngadalë në të gjithë vendin. Për herë të parë publikisht kryeministri Rama do të flasë më 12 Nëntor: “Nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim një vendim”
Një ditë më pas do të japë një variant më të ndryshëm: “PO”-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje nga ku të jetë e qartë për të gjithë se Shqipëria do të dalë jo vetëm me kokën lartë, por e fituar”.
Të nesërmen parlamenti thuajse bllokohet nga opozita e cila shprehet publikisht kundër, duke kërkuar referendum. “Opozita shqiptare nuk do të pranojë për asnjë cmim, qoftë edhe një mbushje të vetme me armë kimike në territorin e Shqipërisë”, këmbëngulte në sallën e parlamentit ish kryeministri Berisha.
Ish kryeministrit Berisha dhe kryetarit demokrat Basha, do t’u kërkohet të largohen nga protesta e qytetarëve para qeverisë, të cilët do ta kalojnë natën aty, në grupe më të vogla.

Ndaj kryeministrit Rama rritet presioni dhe nga radhët e shumicës. Ai njofton një dalje publike në orën 18.00 më 15 Nëntor. Protestuesit jashtë mbajnë frymën pezull përgjatë 30 minutave të fjalës së tij: “Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektim më të madh ndaj miqve dhe partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim, e mësojeni tani edhe ju, Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”, tha zoti Rama duke mbyllur fjalën e tij.

Kur mendjet u ftohën pati nga ata që folën për shans të humbur për Shqipërinë, vecanërisht në raportet e saj me SHBA, megjithatë vendi fitoi një dimension të ri lirie. Për herë të parë qytetarët ndjenë se dhe ata mund të jenë pjesë e vendimeve të rëndësishme për jetën e tyre

DESHTIMI
ME STATUSIN

Në ndërkohë, Shqipëria priste vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit europian për dhënien e Statusit. Shpresat ishin të mëdha. Tre ligjet të cilat kishin mbajtur peng procesin u miratuan para zgjedhjeve, ndërsa komisioni europian dha në një vlerësim pozitiv në raportin e tij të përvitshëm

“Eshtë koha që Shqipërisë t’i jepet Statusi kandidat, me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, ndërsa njoftoi vendimin e Komionit europian më 16 Tetor. Pikërisht pjesa e dytë e njoftimit, u kthye në gozhdën ku mbeti varur cështja e Statusit. Turi diplomatik që kryeministri dhe ministrat e tij ndërmorrën në kryeqytetet kyce të Europës, nuk patën rezultatin e dëshiruar. Sikundër edhe përpjekjet personale të zoti Fyle, i cili në vizitën e tretë në Tiranë, më 11 Nëntor, promovoi nismën për të ndihmuar Shqipërinë në plotësimin e objektivave për hapjen e bisedimeve, apo dhe letra dërguar vendeve anëtare. Po ashtu ndikim nuk pati as rezoluta në favor e parlamentit europian, ndërkohë që me propozimin e opozitës edhe në Tiranë, më 27 Nëntor, ishte miratuar në unanimitet një tjetër rezolutë

Hollanda ishte vendi i parë që u rreshtua hapur në krahun e kundërt. Por ditën e vendimit do të jenë 5 shtetet që kërkojnë shtyrjen, Gjermani, Franca, Britania, Hollanda e Danimarka. Ato kërkojnë kohë për t’u bindur në përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Pas mbledhjes së Këshillit të ministrave, zoti Linas Linkevičius, Ministri i Jashtëm lituanez, vendi I të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, do të njoftonte vendimin: “Dhënia e statusit kandidat Shqipërisë është vetëm cështje kohe. Ne do t’i rikthehemi në qershor”

Opozita do të fajësojë qeverinë: “Asgjë e re nuk ka ndodhur me statusin këto tre muaj, vecsë është ndërruar qeveria e Shqipërisë. Shtyrja e Statusit është përgjegjësi e saj, është vepër e saj”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.
Një ditë më pas kryeministri Rama do të shprehej: “Ky nuk ishte vendimi më I mirë që familja europiane mund të merrte për vendin tonë, por me siguri, as për rajonin nuk ishte vendimi më i mirë”
Sipas tij problemet e brendshme të disa vendeve anëtare dhe rritja e ndikimit të forcave ekstremiste po e ndërlikojnë procesin e zgjerimit, tha kryeministri duke nënvizuar se Shqipëria meritonte më tepër


DEBATI PER
EKONOMINE


Ekonomia, si rrallëherë do të jetë gjatë gjithë vitit pjesë e një debati të fortë, edhe për shkak të situatës problematike. Në fillim të vitit grupit cek CEZ i hiqet licenca. Në shkurt pranohet publikisht dështimi i privatizimit të Albpetrol, ndërsa në fund të vitit kompania më e madhe ajrore BelleAir ndërpret fluturimet dhe nis procedurat e falimentimit. Një betejë e gjatë do të bëhet për taksat dhe borxhin publik. E nisur që gjatë fushatës ajo do të ashpërsohet pas ndërrimit të pushteteve


Gjendja është e vështirë. Banka e Shqipërisë ndërhyri katër herë gjatë vitit duke ulur normat e interesit, për të stimuluar ekonominë dhe kreditimin i rënë ndjeshëm edhe për shkak të kredive të këqija që njohën vetëm rritje. Ndërsa konsumi i brendshëm dhe investimet private njohën vetëm ngadalësim.

Qeveria e re njoftoi se do të bëjë një inventar të situatës së trashëguar, dhe vecanërisht të borxheve që shteti kishte ndaj të tretëve. Një vlerësim paraprak me Fondin Monetar në shtator flet për një borxh prej afërsisht 540 milion dollarësh. Kjo shifër do të shkojë në total në fund të vitit në afër 720 milion dollarë, sipas qeverisë. Vetëm borxhi ndaj ndërmarrjeve për punët publike i llogaritur nga Deloitte&Touche është afërsisht 240 milion dollarë.

Në Tetor qeveria rishikon në ulje buxhetin duke parashikuar një rritje ekonomike prej 1.2 përqind për 2013, dhe merr borxh të ri për të përballuar situatën. Sipas ministrit të Financave Shkëlqim Cani, përfshirja e detyrimeve ndaj biznesit “e bën borxhin pubik diku të 73 përqindshi”. Ish ministri i Financave Ridvan Bode do të replikojë me të në Komisionin e Ekonomisë: “Si ka mundësi që brenda katër muajve, e rritët borxhin public me 6 pikë përqindje aq sa c’është rritur për katër vite rresht gjatë krizës globale”.

Por me buxhetin e 2014 borxhi kapërcen në 74.8 përqind. Ndërsa aplikimi I taksës progresive, rritja e tatimit mbi fitimin për biznesin e madh si dhe rritja e disa taksave të tjera, do të nxisin një debat të fortë në parlament e jashtë tij, pasi përfaqësuesit e biznesit e kundërshtojnë.
Kryeministri Edi Rama do të flas për një buxhet të kthesës për ekonominë: “Më e keqja ka kaluar sepse në radhë të parë rruga e inercisë të së keqes mbi ekonominë, e financat e vendit, është ndërprerë”.
Tërësisht i kundërt vlerësimi i opozitës: ‘Ky është buxheti i varfërimit, i krijimit dhe shpërndarjes së varfërisë. Ky është buxheti që paralajmëron dhe garanton rrënimin e ekonomisë shqiptare, rënien e saj në pikiatë, drejt e në pellgun e recesionit”.

Qeveria ofron si garanci marrëveshjen e arritur me FMN për një asistencë tre vjecare, dhe marrjen e një huaje prej 300 milion eurosh prej saj, ndërsa Banka Botërore u shpreh se mund të japë deri në 200 milion dollarë të tjerë.

Ekonomia duket se do të jetë edhe sfida kryesore për 2014, krahas asaj për marrjen e statusit, së paku në qershor.
XS
SM
MD
LG