Lidhje

Shqipëri: Akuza të forta mes presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi shkëmbyen mbrëmë akuza të forta mes tyre pas përplasjes së krijuar për zgjedhjen e nënkryetarit të Këshilit të Lartë të Drejtësisë.

Kryeministri Berisha deklaroi se presidenti ka dhunuar e shkelur Kushtetutën e cila sipas tij në frymën e saj ka të përcaktuar qartë se nënkryetari duhet të zgjidhet nga anëtarët e emëruar nga parlamenti.

Zoti Berisha tha se kreu i shtetit e ka kthyer presidencën në selinë e një partie të vogël që pritet të krijojë në mbyllje të mandatit. Nga ana e tij Presidenti Topi u përgjigj menjëherë duke akuzuar kryeministrin se kërkon të delegojë në postin e nënkryetarit një prej të preferuarve të tij politik.

Ai rrëzoi pretendimet se Kushtetuta përjashton zgjedhjen e një anëtari që vjen nga gjyqësori, ndërsa i kujtoi kryeministrit se Gjykata Kushtetutese e ka gjetur atë disa herë në shkelje të Kushtetutës.

XS
SM
MD
LG