Lidhje

Shqipëri: Imunitetet, më 6 gusht seanca e votimit


Opozita u shpreh në favor, duke thënë se procesi duhet të jetë i gjerë dhe jo i nxituar

Në Shqipëri parlamenti vendosi sot që të marrë në shqyrtim nismën e deputetëve demokrat për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni duke caktuar datën 6 gusht për seancën e votimit. Në nismën e tyre, e cila kërkon ndryshim të kushtetutës, demokratët propozojnë zhveshjen nga mbrojtja ligjore e imunitetit jo vetëm per anëtarët e parlamentit por edhe të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë. Ata nuk do të jenë të mbrojtur as nga arrestimet, vetëm nëse parlamenti, në rastin e deputetëve, vlerëson se cënohet funksionimi i tij. Opozita nga ana e saj u shpreh në favor, duke saktësuar se këto ndryshime nuk do të bëhen me nxitim e duke u shprehur se nuk mund të jenë të shkëputura nga reforma kushtetuese në Drejtësi.

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare e thirrur nga kryetarja Jozefina Topalli vendosi sot përfshirjen në kalendarin e punimeve të parlamentit të nismës për heqjen e imuniteteve të propozuar nga një grup deputetësh të shumicës në pushtet. Sipas rregullore u përcaktua që diskutimet ku të përfshihen dhe kostitucionalistë të zhvillohen më 20 dhe 21 korrik, ndërsa seanca për votim të mbahet më 6 gusht, muaj në të cilin zakonisht parlamenti nis pushimet verore.

Socialistët nga ana e tyre u shprehën sot në favor. “Për ne nuk ka dilemë nëse duhet hequr, kufizuar apo jo imuniteti. Pa diskutim, PO! Kështu që, propaganda e kryeministrit kundër opozitës sikur jemi ne pengesë për heqjen e imunitetit më vjen keq ta them, por është realisht e pështirë”, tha kryetari socialist Edi Rama.



Nisma e propozuar nga shumica praktikisht i zhvesh të gjithë zyrtarët, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët nga imuniteti, duke i lënë një mbrojtje të lehtë vetëm ndaj arrestimeve. Në rastin e deputetëve arrestimi mund të anullohet nëse parlamenti arsyeton se “po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit”. Në rastin e gjyqtarëve, si ata të kushtetuteses apo dhe gjyqtarëve të thjeshtë, po ashtu, imuniteti reduktohet thuajse tërësisht, por në rastin e arrestimit është vetë Gjykata kushtetuese apo Këshilli i lartë i Drejtësisë që vendos të mbajë në fuqi apo këtë masë.

Zëra nga opozita e kanë parë me skepticizëm këtë formulim që demokratët e kanë huazuar nga propozimi i ekspertëve të Këshillit të Europës. Kryetari Rama tha sot se nevojitet një proces i gjerë dhe se opozita nuk do të nxitohet: “Partia Socialiste nuk do të ndërhyjë më asnjëherë në Kushtetutën e Republikës me nxitimin e 4 viteve më parë. Aq më tepër sot në kushtet kur jemi përpara faktit të kryer të kthimit të shtetit në një mishërim të pushtetit njëpartiak dhe kur një President i zgjedhur njëanshmërisht pritet të përzgjedhë një Prokuror dhe një Drejtor Shërbimi që s’kemi ende asnjë arsye të besojmë se do të përzgjidhen për t’i shërbyer shtetit dhe jo pushtetit njëpartiak”.

Për socialistët heqja e imunitetit nuk është instrumenti i vetëm në luftën kundër korrupsionit duke shprehur nevojën e forcimit të institucioneve të Drejtësisë e për pasojë edhe të ndryshimeve kushtetuese që prekin këtë sistem. “Cështja e imunitetit të trajtohet në respekt të frymës së Kushtetutës dhe në funksion të heqjes apo kufizimit të tij padyshim, por jo duke nxjerrë sytë për të vënë vetulla. Duke hapur një debat më të gjerë se sa debati që mund të bëjnë palët në parlament, për një ndërhyrje kushtetuese në dobi të rritjes së pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe të forcimit të luftës kundër korrupsionit. Kjo është një çështje, që në asnjë mënyrë nuk duhet parë krejt e shkëputur nga çështja e reformës kushtetuese në drejtësi”, theksoi zoti Rama.

Duket se debati për këtë cështje do të jetë mjaft i fortë. Duke qenë se kërkohet ndërhyrje në kushtetutë, kjo do të jetë dhe një tjetër provë e aftësisë së palëve për të arritur në një konsensus.
XS
SM
MD
LG