Lidhje

Vetro Energy plotëson kriteret për privatizimin e Albpetrolit


Në Shqipëri, ministria e ekonomisë njoftoi sot se konsorciumi amerikan Vetro Energy kishte marrë maksimumin e pikëve në garën për privatizimin e Albpetrolit, falë ofertës prej 850 milion eurosh. Në vlerësimin që iu bë kompanive në garë nga shoqëria amerikane e konsulencës Patton Boggs, konsorciumi Vetro Energy ishtë në distancë të ndjeshme nga konkurrentët e tij. Sipas Ministrisë së Ekonomisë Konsorciumi amerikan i plotësonte të gjitha kriteret e vendosura. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga qeveria shqiptare e më pas nga parlamenti që do të duhet të ratifikojë kontraten e shitjes.

Privatizimi i Albpetrolit është më I rëndësishmi I ndërmarrë nga qeveritë shqiptare edhe për aspektin strategjik të këtij sektori. Tre javë pas hapjes së ofertave nga kompani të ndryshme, komisioni I vlerësimit dha sot gjykimin e tij, pasi kishte marrë edhe raportin e konsulentit amerikan Patton Boggs. Falë ofertës prej 850 milion eurosh, një konsorcium amerikan Vetro Energy, i regjistruar me seli në Singapor, mori 97,7 pikë nga 100 të mundshme, duke lënë pas, me një diferencë të thellë konkurrentet e tjerë në garë. Një konsorcium ndërkombëtar nga Dubai që kishte ofruar 750 milion euro u skualifikua pasi kishte pranuar se nuk përmbushte dot një seri kërkesash teknike dhe financiare. Në vend të dytë, me 44 pikë u rendit Win Bussines, nga Kina që kishte ofruar 297 milion euro, ndërsa kanadezët e Bankers Petroleum, me 106 milion euro, ishin të tretët me pak me shumë se 30 pikë.

Oferta e lartë e konsorciumit amerikan, tërhoqi vëmendje të madhe e cila u shoqërua edhe me dyshime. Në garë ajo u paraqit fillimisht me emrin Vetro Silk Road Equity, për të cilin shtypi mundi të gjente të dhëna vetëm për kompaninë Silk Road Equity, një fond investimesh në Shtetet e Bashkuara. Por sot zëvendësministri I Ekonomisë Sokol Dervishi shpjegoi se konsorciumi ishte Vetro Energy dhe përbëhej nga Silk Road me 49 përqind e cila kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të specializuar në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, Huddleston Energy. Ndërsa aksionerja kryesore rezulton Ypo Oli & Energy, e cila sipas zotit Dervishi zotëron 100 për qind të aksioneve të Home Creek Energy, edhe kjo kompani nafte me seli në Teksas. Në faqen e Vetro Energy, të hapur vetëm pak ditë më parë, rezulton si pjesë e menaxhimit vetëm Huddleston dhe Home Creek Energy.

Një tjetër pikëpyetje kishte lindur edhe me Bankën që kishte lëshuar garancinë. Sipas rregullit ajo duhej të ishte lëshuar nga një prej 50 bankave më të mëdha të botës, ndërsa konsorciumi kishte paraqitur një garanci nga një Bankë e Cikagos e cila është shumë larg kësaj renditjeje. Por zëvendësministri sqaroi se konsorciumi është zotuar që në fazën e bisedimeve për kontratën, të ngrijë 20 përqind të ofertës, ne një nga nga 50 bankat më të mëdha.

Albpetrol-i ka të drejtën e shfrytëzimit të të gjitha vendburimeve të naftës dhe gazit në Shqipëri. Por nga 8 ekzistueset, 7 u janë dhënë me koncesione shoqërive të tjera të huaja. Vlera e Albpetrolit u rrit kryesisht për shkak se autoritetet, pa përpara garës për privatizim, I dhanë kësaj ndërmarrjeje licencën për shpërndarjen e gazit, për ndërtim rafinerie dhe një licencë për tregtim të energjisë elektrike.
XS
SM
MD
LG