Lidhje

Shqipëri: Banka Qendrore për situatën ekonomike të vendit dhe të ardhmen

  • Armand Mero

Shqipëri: Banka Qendrore për situatën ekonomike të vendit dhe të ardhmen

Shqipëri: Banka Qendrore për situatën ekonomike të vendit dhe të ardhmen

Në Shqipëri Banka qëndrore vlerëson se rritja e mirë ekonomike në pjesën e parë të vitit mund të mos konfirmohet e tillë në gjysmën e dytë për shkak të ndikimeve të ekonomisë botërore dhe mungesës së një politike stimuluese fiskale në vend dhe uljes së konsumit e investimeve. Banka në raportin e saj të stabilitetit financiar parlajmëron edhe rreziqe të shtuara për sistemin bankar i cili megjithatë vlerësohet i qëndrueshëm. Në sfondin e debateve gjithnjë e më të ndezura për pasojat e krizës europian në ekonominë shqiptare parlamenti do të votojë sot në parim buxhetin për vitin e ardhshëm i cili parashikon një reduktim të zërit të shpenzimeve e të investimeve ndërkohë që përkundër parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare por edhe vetë Bankës qëndrore flet për një rritje edhe më të madhe ekonomike.

Zhvillimet në ekonominë shqiptare duket se gjithnjë e më shumë po zbehin notat e optimizmit. Rritja vazhdon të jetë pozitive, por ritmi i saj ka ardhur në rënie, e duket se kjo tendencë do të jetë edhe për këtë vit, vecanërisht nën dritën e zhvillimeve të fundit mbi ekonominë europiane. Raporti i stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti i Bankës qëndrore vlerëson se “megjithë rritjen e mirë ekonomike në pjesën e parë të vitit, pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë më të pasigurta, në kushtet e ngadalësimit të pritshëm të rritjes së ekonomisë botërore, mungesës së hapësirës për një politikë fiskale stimuluese dhe presionit mbi kontributin e konsumit dhe të investimeve në rritjen ekonomike, për shkak të rritjes së prirjes për kursim nga ana e familjeve”. Autoritetet shqiptare parashikon një rritje ekonomike te 3.9 përqind të fund të këtij viti, shumë më optimiste se parashikimi i fondit monetar Ndërkombëtar, i cili e uli së fundmi në më pak se 2 përqind parashikimin e tij. Në tendencë ulje duket edhe vlerësimi i Bankës, e cila vetëm pak muaj më parë mendonte se do të ruhej niveli i 3.4 përqind i rritje në tremujorin të parë. Banka në raportin e saj nuk përmend parashikime në shifra edhe sepse Instituti i Statistikave ka tejkaluar të gjitha afatet për publikimin e rritjes ekonomike të tremujorit të dytë. Justifikimi zyrtar është se zyra e tatimeve nuk ka dërguar të dhënat.

Sipas raportit të Bankës qëndrore “nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë negativisht në vëllimin e aktivitetit dhe në vendimet për zgjerimin e investimeve nga bizneset, duke frenuar rigjallërimin e kërkesës për kredi bankare”. Sistemi bankar paraqitet i qëndrueshëm por paralajmërimet për rreziqet e shtuara nuk mungojnë në raportin e Bankës Qëndrore. Nëse rrisqet nga luhatjet e kursit të këmbimit apo normës së interesit vlerësohen të ulta, rreziku që lidhet me kreditë e këqija është një kërcënim në rritje. Shqetësues mbetet ritmi i zgjerimit të këtij rreziku. Nga 12.2 përqind e totalit të portofolit të kredive, ato në fund të qershorit u ngjitën në 17 përqind, ndërsa në fund të muajit tetor u përkeqësuan edhe me 1.4 pikë përqindje. Sektorët më problematik në kreditë e këqija janë ai i Ndërtimit, që përfaqësion 28 përqind të vëllimit, Tregtia me 20 përqind, dhe Industria përpunuese me 18 përqind. Efekti i kësaj situata është një reaksion zinxhir. Bankat janë të detyruara të shtojnë fondet rezervë për përballimin e humbjeve të mundshme. Në fund të qershorit të këtij viti këto fonde u rritën me 27.3 përqind krahasuar me dhjetorin 2010, duke arritur në 460 milion dollarë.

Rënia e cilësisë së kredisë dhe nevoja për të rritur fondet rezervë dëmtojnë sipas Bankës së Shqipërisë “aftësinë e sistemit për të gjeneruar një rezultat financiar pozitiv në nivele të mjaftueshme për të mbështetur rritjen e kapitalit. Nëse rreziqet në aktivitetin kreditues mbeten të qëndrueshëm, aftësia e sektorit bankar për të ruajtur një nivel të mjaftueshëm të rezultatit operativ bruto mund të rrezikohet”, thuhet në raportin e Bankës Qëndrore. Për këtë çështje, nëpërmjet funksionit të saj mbikëqyrës “Banka e Shqipërisë ka kërkuar nga bankat tregtare që ato të sigurojnë paralelisht identifikimin e saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme dhe krijimin e fondeve përkatëse rezervë, si edhe të realizojnë veprime të vendosura për rikuperimin e vlerave të kredive të humbura nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve”.

Tremujori I dytë I këtij viti nuk ka qenë shumë shpresëdhënës edhe për parametra të tjerë të ekonomisë. Sipas raportit të Bankës Qëndrore “vlerat negative të deficitit të bilancit tregtar janë rritur dhe kontributi i tij në rritjen ekonomike është përkeqësuar. Konsumi privat vijon të zhvillohet me ritme të ngadalta, për shkak se niveli i punësimit dhe të ardhurat nga paga kanë shënuar një rritje të moderuar dhe prirja për kursim shfaqet e qëndrueshme. Dërgesat e emigrantëve vazhdojnë të shënojnë rënie duke ndikuar negativisht në nivelin e konsumit në vend. Ritmi i rritjes së investimeve në vend ka rënë, duke reflektuar ngadalësimin e kreditimit nga sektori bankar dhe të shpenzimeve kapitale të politikës fiskale. Po ashtu edhe investimet e huaja direkte janë tkurrur me 15 përqind”.

Situata ekonomike pritet të jetë sot në qendër të debateve të gjata në parlament ku do të duhet të votohet në parim buxheti për vitin e ardhshëm. Një buxhet që sipas qeverisë ruan stabilitetin makroekonomik të vendit dhe garanton rritje të ekonomisë, e parashikuar për 4.3 përqind për 2012-ën. Opozita i konsideron utopike parashikimet e qeverisë të cilat sipas saj bëhen vetëm për të mbajtur nivelin prej 60 përqind të borxhit publik. Edhe Fondi monetar ndërkombëtar ka vlerësuar se parashikimet janë tepër optimiste. Në të vërtetë Fondi monetar mendon se vitin e ardhshëm rritja ekonomike e Shqipërisë mund të jetë 1 deri 1.5 përqind, pra 3 deri katër herë më e vogël se parashikimi i autoriteteve.

XS
SM
MD
LG