Lidhje

Basha: “Opozita e përqëndruar te protesta”


Në Tiranë, opozita i ashpërsoi qëndrimet ndaj kërkesave të shumicës socialiste për të kryer me mirëkuptim një reformë në ndarjen administrative territoriale të vendit. Të dy palët pranojnë se ndarja aktuale ka marrë përpjestime të panevojshme, që e kanë vështirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe po harxhon fonde të kota deri 80 milionë euro për të mbajtur hapur administrata vendore të pafrytshme.

Megjithatë, nisur nga mospajtimet mbi statusin e nëpunësit civil të miratuar me mirëkuptim dhe më vonë të shtyrë në kohë për zbatim nga qeveria, Partia Demokratike deklaroi prerë se nuk do të bëhet pjesë e reformës administrative territoriale, për shkak të mosbesimit ndaj qeverisë se një mirëkuptim tjetër i mundshëm do të respektohet.

Opozita është përqëndruar në organizimin e një marshimi proteste pas një jave, i cili përkon me përvjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha nga sheshi Skënderbej. Kryetari i PD, Lulzim Basha, mblodhi drejtuesit e degëve të opozitës në rrethe, për të diskutuar organizimin e tubimit, dhe më pas deklaroi se për reformën administrative territoriale nuk ka më vend për negociata.

“Nuk ka nevojë për negociata. T'i lëmë fjalët, kalojmë në vepra. Problemi i maxhorancës është që midis fjalëve dhe veprave ka një deficit të madh” - tha zoti Basha. Sipas tij, veprimet e opozitës tashmë janë përqëndruar në reagimet kundër varfërisë, rritjes së taksave dhe vështirësive të tjera në ekonomi.

Po nga ana e qeverisë cilat janë qëndrimet mbi reformën administrative territoriale? Shumica e majtë përsëriti vlerësimin se reforma administrative është një domosdoshmëri dhe se territori është copëtuar në pjesë shumë të vogla administrative, që janë bërë të padobishme dhe të kushtueshme.

Ministri për marrëdhëniet me parlamentin, Ilirian Celibashi, thotë se ndihmesa e opozitës është e nevojshme, ndaj edhe u ndërtua një komision parlamentar me numër antarësh të barabartë dhe me të drejtë vetoje për opozitën.

“Opozita ka marrë të gjitha garancitë dhe hapësirat që të jetë e frytshme dhe e lirë në punën e komisionit. Më i rëndësishëm është produkti dhe besoj se për një produkt cilësor, ne do ta gjejmë konsensusin me opozitën. Pritja e opozitës do të jetë e arësyeshme. E rëndësishme është që puna të bëhet bashkarisht, por mendoj se nuk arësye që të presim pafundësisht opozitën” - tha zoti Celibashi.

Parlamenti e ka miratuar ngritjen e këtij komisioni me 8 antarë nga shumica e majtë dhe 8 antarë nga opozita. Por praktikisht ai nuk nuk mund të veprojë, sepse Partia Demokratike nuk merr pjesë. Të dy palët thonë se ndryshimi i hartës administrative të Shqipërisë është mëse i nevojshëm. Pakësimi i njësive administrative pritet të përmirësojë shërbimet për banorët, të lehtësojë proceset zgjedhore dhe të ulë shpenzimet financiare për mbajtjen hapur të aq shumë njësive vendore.
XS
SM
MD
LG