Lidhje

Kryeministri Berisha fton opozitën të heqin imunitetet e zyrtarëve


Disa ditë më parë opozita deklaroi se nuk ishte e gatshme që të përfshihej në ndryshimin e kushtetutës për çfarëdo nenesh

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i bëri sot thirrje opozitës socialiste që të votojnë heqjen e imuniteteve të zyrtarëve. Ai tha se një pikë kryesore e bashkëpunimit me opozitën socialiste është çështja e imuniteteve shtetërore që mbajnë zyrtarët dhe që prokuroria beson se përdoren si mburoja të korrupsionit. Ai i bëri këto komente në një konferencë shtypi në fundjavë, ku theksoi se heqja e imuniteteve do të shënojë një periudhë të re në luftën ndaj korrupsionit.

Zoti Berisha i bëri thirrje opozitës që të miratojnë bashkarisht heqjen e imuniteteve që t’i hapet rruga drejtësisë në goditjen e korrupsionit, sa kohë që kjo është edhe një ndër kërkesat kryesore të BE-së. Ai tha se propozimet e maxhorancës për të hequr imunitetet shtetërore janë konsultuar edhe me instituciont europiane. Zoti Berisha tha se kjo do të sillte një periudhë të re në barazinë shtetasve para ligjit.

Disa ditë më parë opozita deklaroi se nuk ishte e gatshme që të përfshihej në ndryshimin e kushtetutës për çfarëdo nenesh, pasi i quajti të gabuara ndryshimet e fundit disa vjet më parë.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ishte optimist për ecurinë e reformës zgjedhore dhe se koalicioni qeveritar mirëpriti dhe po çon drejt votimit në parlament pjesën dërrmuese të kërkesave të opozitës.


XS
SM
MD
LG