Lidhje

Berisha-Rama, përsëri polemika për çështjen e imunitetit


Më 6 gusht parlamenti do të duhet të votojë për këtë çështje

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama u përfshinë sërish sot në polemika në distancë lidhur me cështjen e imunitetit dhe seancën e 6 gushtit, datë në të cilën parlamenti do të duhet të votojë.

Kryeministri Berisha, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë demokratike i bëri thirrje socialistëve që të votojnë për kufizimin e imuniteteve duke kujtuar se demokratët kanë plotësuar të gjithë kërkesat e opozitës. Palët kanë rënë dakort për një formulë të përbashkët të kufizimit të imunitetit, por socialistët kërkojnë që të diskutohen ndërkohë edhe propozimet e tyre për disa ndryshime të tjera në kushtetutë, të cilat sipas tyre do të forconin pavarësinë e sistemit dhe institucioneve të Drejtësisë.

Ftesa e zotit Berisha u shoqërua edhe me akuza të forta ndaj kryetarit socialist i cili sipas tij është peng i një grupi deputetësh miliarderë të cilët e duan imunitetin si mburojë për biznese dhe aktivitet të paligjshme e deri kriminale, tha kryeministri.

Kryetari socialist Rama reagoi përmes faqes së tij në Twitter duke u shprehu se "kryeministri noton në një det gënjeshtrash dhe ankesash" e duke ironizuar se “nuk bën dot detyrën se nuk e lë opozita”, shkruante zoti Rama sipas të cilit, kreu i qeverisë po fajëson po opozitën pse nuk lufton dot korrupsionin e krimin e pse nuk hap vende pune.
XS
SM
MD
LG