Lidhje

Shqipëri: Berisha, Rama, debate në distancë

  • Armand Mero
  • Tiranë

Shqipëri: Berisha, Rama, debate në distancë

Shqipëri: Berisha, Rama, debate në distancë

Brenda pak orësh kryetari socialist Edi Rama dhe kryeministri Sali Berisha debatuan me njëri tjetrin në distancë, duke konfirmuar edhe se një përballje e mundshme publike mes tyre i takon së ardhmes.

Ne mbledhjen e grupit parlamentar socialist Zoti Rama ju drejtua publikisht kryemnistrit me kërkesën për një debat. "Dua t’ja kërkoj sot Saliut edhe me zë e me figurë që të vijë në një debat përpara shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë të dinë si do të dalim nga ky udhëkryq, ku as Europa s’na nxjerr dot, as shqiptarët s’duan të rrinë. Meritojnë të dinë çfarë kemi për t’i thënë njëri tjetrit sy më sy dhe në sy të tyre për ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç".

Ndonëse foli gjatë në mbledhjen e grupit demokrat edhe për marrëdhëniet me opozitën, përgjigjen për debatin kryeministri e dha përmes zëdhënëses së partisë së tij: "Zoti Berisha ka qënë i gatshëm për të debatuar me të në të shkuarën. Ai e ftoi zotin Rama për të debatuar për zgjedhjet e vitit 2009 dhe është i gatshëm për të debatuar me liderin e opozitës përpara zgjedhjeve të vitit 2013, por zoti Berisha beson se tani nuk është kohë për debate veçanërisht për shkak se nuk do të ishte e përshtatshme për Partinë Demokratike të ndikonte në Kongresin e ardhshëm të Partisë së zotit Rama", deklaroi zedhenesja Albana Mustafaraj.

Por kjo nuk ishte e vetmja përgjigje refuzuese. Zoti Rama kërkoi sot që shumica të paraqiste një qëndrim serioz ndaj ofertës së tyre me 10 pika: "Ne këmbëngulim që të kemi publikisht një qëndrim zyrtar të qeverisë për ofertën tone. E do apo nuk e do kjo qeveri paktin me opozitën për përshpejtimin e integrimit europian? Do apo nuk do kjo qeveri të adresojë bashkë me opozitën në parlament të gjitha kritikat dhe kërkesat e Bashkimit Europian? Do apo s’do kjo shumicë parlamentare të punojë me opozitën parlamentare për të rimëkëmbur shtetin, reformuar drejtësinë, garantuar pavarësinë e institucioneve me një proces politik europian? Të na e thonë qartë. Të na thonë pse nuk e duan këtë pakt, nëse nuk e duan. Të na thonë çfarë duan të rishohin në këtë pakt, nëse duan të rishohin diçka. Të na thonë çfarë duan të shtojnë në këtë pakt, nëse duan të shtojnë diçka apo shumëçka. Vetëm duke sharë opozitën nuk përshpejtohet integrimi", u shpreh zoti Rama.

Qëndrimi i kryeministrit disa minuta më vonë, nga mbledhja me deputetët e tij ishte po ai i konfirmuar ditë më parë. Sipas shumicës, propozimet e opozitës janë jashte kuadrit kushtetues dhe bëhen vetëm më qëllimin për të bllokuar: "Zotëria premtoi në unison se do të votojë dhe pastaj për të mos votuar lëshoi një seri ultimatumesh, këto ne nuk mund ti pranojmë, jashtë rregullit kushtetues . Ne i themi zotëri nuk kemi votat për Avokatin e Popullit, jo thotë ai, dua dhe Guvernatorin, dua dhe KLD. Jo more zotëri shumicë nuk mund të bëhesh kurrë ti, sa të jesh pakicë, shumicë të bëjnë shqiptarët ty, nuk të bën Sali Berisha".

Kryeministri rikonfirmoi se dy janë cështjet për të cilat mund të bisedohet me opozitën: regullorja e parlamentit e përshtatja e saj me atë të parlamentit europian si dhe reforma zgjedhore: "Përgjigja jonë është kjo, në rast se ju jeni i interesuar dhe nuk e keni farsë dhe hipokrizi këtë , urdhëroni të ndërtojmë komisionin parlamentarë të zgjedhjeve javën që vjen, madje që këtë javë që ditën e enjte, me ato parime që ka, me barazi të plotë, me prani të OSBE/ODHIR, me axhendë të thjeshtuar me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR".

Por sipas zotit Rama, edhe përparimi për këtë reformë është blookuar nga shumica tha ai: "E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët sesa shpesh e ka përsëritur që është gati të miratojë çdo propozim të opozitës për Kodin Zgjedhor, që merr dritën jeshile nga ODIHR dhe/ose Komisioni i Venecias. Nuk po pranon nënshkrimin e këtij stërpremtimi dhe prandaj nuk po ecën më tutje. Ne i kërkojmë ta nënshkruajë marrëveshjen për metodologjinë e punës së komisionit të reformës zgjedhore, që e ka në tryezë prej më shumë se 10 ditësh"

Me këto qëndrime të palëve për momentin nuk duket asnjë drite jeshile se situata politike do të mund të ndryshojë. Të paktën jo në një të ardhme të shpejtë.

XS
SM
MD
LG