Lidhje

Shqipëri: Qarqet e biznesit thonë se korrupsioni është shtuar


Shqipëri: Qarqet e biznesit thonë se korrupsioni është shtuar
Shqipëri: Qarqet e biznesit thonë se korrupsioni është shtuar

Qarqet e biznesit bënë të ditur sot se, ashtu si qytetarët e thjeshtë, edhe ato kanë një perceptim të lartë mbi nivelin e korrupsionit, që ndeshin në veprimtarinë e tyre.

Sipas studimeve të fundit, ata pohojnë se pengesat kryesore artificiale në punën e tyre janë korrupsioni dhe moskreditimi bankar.

Organizatat “Biznes Albania” dhe “Këshilli i Agrobiznesit” publikuan sondazhe me mbi 4 mijë biznese të intervistuara, nga doli se 98 për qind e biznesmenëve mendojnë se korrupsioni është rritur, pavarësisht masave kundër tij.

Sipas drejtuesit të organizatës “Biznes Albania”, Luan Bregasi, studimi ka nxjerrë se “mbi 75 për qind e bizneseve janë të shqetësuara nga presioni që u bën administrata publike; niveli i presionit mbetet i lartë, po ashtu edhe mitmarrja, edhe kontrollet si mjet presioni, të cilat pengojnë rritjen e sipërmarrjeve.

Mbi 60 për qind e biznesmenëve të anketuar pohojnë se hasin vështirësi në kreditim, për shkak të normave të larta të interesit. Po ashtu, janë vërejtur edhe shkelje në tenderat elektronikë, ku përsëri shkelen rregullat e garës nga komisionet shtetërore, dhe për këtë kërkohet një ligj i ri për prokurimet publike”.

Krahas korrupsionit dhe moskreditimit, mbi 50 për qind e të anketuarve pohojnë se midis presioneve artificiale ndaj biznesit janë pengesat e shumta për mbylljen e një biznesi jofitimprurës. Bizneset e falimentuara e konsiderojnë të papërballueshme koston e mbylljes së veprimtarisë tregtare.

Një tjetër studim i publikuar po sot hodhi dritë mbi realitetin në ekonomitë bujqësore. Nëse bizneset industriale kreditohen me interesa të larta, bizneset bujqësore pothuaj nuk kreditohen fare. Këshilli i agrobiznesit bëri të ditur se nga 3 mijë e 500 intervista, mbi 95 për qind e e fermerëve pohojnë se hasin vështirësi në moskreditim dhe në mosfinancime për zhvillimin e bujqësisë.

“Fermerët kërkojnë heqjen e tvsh-së për plehrat kimike, pesticidet dhe farërat, dhe të shtohen financimet për bujqësinë dhe blegtornë. Po ashtu ata kërkojnë që të subvencionohen për blerjen e makinerive bujqësore dhe për shtimin e blegtorisë, ndërtimin magazinash dhe frigoriferësh dhe paketimin e produkteve” - thotë Enver Ferizaj, drejtues i Këshillit të Agrobiznesit.

Studiuesit tërhoqën vëmendjen rreth faktit se sistemi bankar vazhdon të mos kreditojë bizneset industriale dhe agrare, edhe pse njerëzit kanë rritur ndjeshëm depozitimin e kursimeve në to.

Ata e konsideruan si një paradoks raportin e zhdrejtë që; shtetasit i besojnë bankave kur shtojnë kursimet e tyre, por bankat nuk u besojnë bizneseve për të shtuar kreditimet.

XS
SM
MD
LG