Lidhje

Shqipëri, debate për buxhetin e rishikuar

  • Armand Mero

Përplasje mes shumicës dhe opozitës. Ministri i Financave Cani: Tkurren të ardhurat, borxhi shkon në 69 përqind. Ish ministri Bode: Po e zhysni buxhetin në mënyrë të paimagjinueshme

Në Shqipëri shumica dhe opozita debatuan sot ashpër mbi vendimin e qeverisë për të rishikuar buxhetin e shtetit për muajt e mbetur. Ministria e Financave parashikon një rënie të fortë të të ardhurave dhe rritje të borxhit publik në nivelin e 69 përqind, pa përfshirë katër pikë të tjera përqindje të borxhit që përllogaritet që shteti t’i ketë kompanive private. Ish ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi qeverinë se po e zhyt ekonominë e vendit në një situatë të rrezikshme.


Mbledhja e sotme e komisionit të Ekonomisë, ku u diskutuan ndryshimet në buxhetin e shtetit u zhvillua mes polemikash të ndezura mes përfaqësuesve të shumicës dhe ish drejtuesve të financave shqiptare deri në mesin e muajit të kaluar. Qeveria e re, sic dhe ishte parlajmëruar, ka zgjedhur të marrë sasi të mëdha borxhesh, e detyruar sipas saj nga një situatë e vështirë ekonomike e krijuar nga shpenzimet e larta dhe rënia e fortë e të ardhurave në 8 muajt e parë të vitit nga administrata e kaluar. Ajo gjithashtu ka parashikuar në ulje, në 1.2 përqind, rritjen ekonomike të vendit për 2013.

“Borxhi publik nuk do të jetë as 63.8-64 për qind, por do të jetë, në bazë të ripërllogariteve të rritjes ekonomike me 1.2 përqind, diku te 69 përqind. Këtu nuk janë përfshirë ato që quhen pagesa të vonuara, cka e con diku te 73 përqindëshi borxhin”, deklaroi ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Por sipas ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, e gjitha kjo bëhet sipas tij për shkak se qeveria e re nuk ka një program të qartë por synon vetëm të mohojë gjithshka është bërë më parë: “Si ndodhi që brenda katër muajve të rritet borxhi publik me 6 pikë përqindje, as sa është rritur për katër vjet në periudhën e krizës globale?”.

Zoti Bode akuzoi qeverinë për paaftësi të në administrimin fiskal, ndërsa ju referua faktit se në ndryshimet e buxhetit, të ardhurat parashikohen më nje ritëm rënieje shumë më të lartë se ai i 8 muajve të parë të vitit: “Në 8 muaj, këto mosrealizime nga administrata fiskale kanë qenë 13 miliard lekë. Ju mendoni që në katër muajt e fundit do të shtohet edhe 20 miliard lekë. Pra mosrealizimin e të ardhurave mujore ju do ta shtoni me tre herë e gjysëm. Dhe kjo dëshmon për atë mungesë totale të përgjegjësisë dhe angazhimit tuaj në cështjen e administrimit të taksave. Sikur të mos bënit asgjë por të ruanit atë ritëm të qeverisë së keqe të Berishës do të kishit 13 miliard lekë më shumë në buxhet, 13 miliard lekë më pak deficit, 13 miliard lekë më pak huamarrje”.

Palët ndërhynin shpesh në diskutimet e njëri tjetrit duke shkëmbyer akuza reciproke.
“Se si e keni menaxhuar ju e tregon më së mirë 9 mujori”, deklaroi kryetari i komisinit të ekonomisë Erion Brace.
“Ju po e zhysni buxhetin në mënyrë të paimagjinueshme” u përgjigj ish-ministri Bode.
“Ne nuk kemi zhytur asgjë, thjesht po administrojmë atë që keni zhytur ju”, u kundërpërgjigj zoti Brace.

Ndryshimet në buxhetin e shtetit, të cilat parashikojnë edhe një tkurrje të fortë të shpenzimeve, kanë hyrë tashmë në fuqi, duke qenë se qeveria, për të fituar kohë, ka vepruar përmes një akti normativ.
XS
SM
MD
LG