Lidhje

Shqipëri: Ekspertët flasin për pasojat e krizës greke dhe italiane

  • Armand Mero

Shqipëri: Ekspertët flasin për pasojat e krizës greke dhe italiane

Shqipëri: Ekspertët flasin për pasojat e krizës greke dhe italiane

Në Shqipëri të gjithë bien dakort se ekonomia shqiptare po vuan tanimë pasojat e krizës ekonomike europiane, veçanërisht asaj greke, e se do të vazhdojë t’i ndjejë ndikimet. Debati që zhvillohet lidhet me masën e këtij ndikimi dhe çfarë përgatitjesh duhen bërë për t’u paraprirë atyre. Ekspertët bien dakort se ndikimi i parë është dhënë prej kohësh në uljen e dërgesave të emigrantëve, ndërsa tani shqetësimi lidhet me një numër të lartë që po kthehen e pasojat mbi tregun e punës, ndërkohë që vlerësojnë se nevojitet që të shihen mundësitë për të shfrytëzuar ato kapitale që ata mund të sjellin me vete. Përsa i përket paralajmërimit të institucioneve ndërkombëtare, mbi ndikimet në sistemin financiar, ku bankat greke dhe italiane përfaqësojnë 36 përqind të tregut, ekspertët mendojnë se nuk bëhet fjalë për rreziqe, por për një pakësim të mbështetjes që ato do mund t’i japin ekonomisë dhe zhvillimit të vendit.

Të jesh komshi me dy nga vendet më të prekura nga kriza sidomos nga Greqia e cila është bërë problem i zonës euro dhe gjithë botës, natyrisht që është ngarkesë më shumë për ekonominë dhe financat e brishta shqiptare”, thotë profesori i ekonomisë, Ardian Civici, dekan i shkollës doktorale pranë Universitetit europian të Tiranës.

Për ish ministrin e Financave Anastas Angjeli, profesor në ekonomi e rektor i Universitetit mesdhetar , pasojat do të jenë më të mëdha vitin e ardhshëm:

“Është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe shikojmë në sy këtë realitet krize. Unë mendoj se vitin e ardhshëm duhet të shqetësohemi dy apo tri herë më shumë se sa jemi shqetësuar këtë vit packa se shqetësimin e ktëij viti jemi munduar ta mbajmë të mbuluar”.

Institucionet ndërkombëtare, Fondi Monetar apo dhe Berzh parashikojnë një ritëm më të ngadaltë rritjeje të ekonomisë vitin e ardhshëm, mes 1 dhe 2 përqind. Por ministri i Financave Rdivan Bode u shpreh pak ditë më parë se janë marrë masat që pasojat të jenë sa më të pakta:

“Nuk do të ketë implikacione të drejtpërdrejta të zhvillimeve të ekonomive fqinje në ekonominë shqiptare, por me atë cka po ndodh në ekonominë globale, ekonomia shqiptare do të përshtasë ritmet e saj në përputhje me zhvillimet dhe ritmet e ekonomive rajonale”.

Megjithatë, siç shprehet edhe profesor Civici asnjëherë nuk është bërë një bilanc i qartë i këtyre pasojave:

“Ne kemi folur shumë, do vazhdojmë të flasim shumë por rallë kemi bërë një inventar të qartë se kush janë elemtyët që na prekin e që do na prekin edhe në 2012-ën”.

Kriza dhe efektet e saj janë në një farë mënyre edhe si dy anët e një medalje, ku mund të shfrytëzohet ajo pozitive. Rikthimi i emigrantëve mund të shoqërohet me një fluks eksperience apo edhe kapitali që mund të gjenerojnë hapjen e bizneseve të reja. Dhori Brinja, në fshatin Goranxi të Gjirokastrës që ka punuar për vite ne emigracion, ka ngritur një njësi që merret me pajisje për ngrohjen e banesave, Megjithatë ai thotë se emigrantët e kthyer janë të prirur për t’i harzhuar me kujdes paratë e tyre

“Janë kthyer shumë familje nga emigracioni, por ato priren të blejnë pajisje me më pak kosto. Sobat e naftës apo të gazit janë zëvendësuar me sobat e drurit. Duan te shpenzojnë aty ku ka më shumë leverdi”.

Por jo të gjithë kanë kapitale për të investuar. Mbi të gjitha janë familje që kërkojnë punësim shpjegon profesor Civici, sipas të cilit mendohet për një shifër prej mbi 120 mijë emigrantësh që mund të jenë kthyer ndërkohë që edhe niveli aktual i papunësisë prej 13-13.5 përqind është mjaft i lartë, thotë ai.

Nëse nuk do bëjmë reformat e duhura strukturore, nuk do bëhemi atraktiv për investimet e huaja direkte, apo nuk do shtojnë investimet tona qoftë private qoftë publike do përballemi në një fazë të dytë me një rritje të papunësisë dhe një presion më të madh social”, nënvizon profesor Civici

Edhe zoti Angjeli mendon se tregu i punës mund të vihet në vështirësi, pasi sipas tij ai është i ngurtësuar dhe nevojitet një rimodelim i ekonomisë që të orientojë politika të reja punësimi duke hapur një portë për emigrantët që kthehen:

“Duke marrë parasysh se vështirësitë do të jenë më të mëdha se energjitë pozitive që sjell kjo krizë, duhet të marrim një paketë masash të cilat nuk do i konsideroja si masa antikrizë por si paketë për shfrytëzimin e energjive pozitive që mund të na lindin. Janë masa në aspektin legjislativ, procedurial e fiskal për t’u krijuar lehtësi atyre që mund të investojnë kapitalet e pakta”.

Në raportin e tij të fundit Fondi monetar ngrinte shqetësimin për rreziqet mbi sistemin financiar, ku 36 përqind e tregut bankar kontrollohet nga institute italiane dhe greke.

Sipas zotit Angjeli edhe ndikimi në këtë sistem është i dyfishtë:

“Edhe nga kjo pikëpamje, prekja e ekonomisë shqiptare është e dyfishtë për shkak të gjendjes së brendshme ekonomike pasi kreditë e pakthyera në afat janë rritur nga 3 përqind para krizës në 18 përqind dhe së dyti, do të ndikojë në atë masë që këto banka janë të implikuara në krizën e borxheve”.

Ndërsa profesor Civici shpjegon se duhet ndarë rreziku i sistemit bankar grek dhe vështirësit që po përjeton. Sipas tij bankat greke në Shqipëri nuk janë të rrezikuara, përsa kohë funksionojnë si njësi më vete duke ju nështruar legjislacionit shqiptar, e po ashtu nuk bëhet fjalë për një rrezik të depozitave:

“Ajo që ne mund të vuajmë është se sa mundësi do kenë këto banka për të shtuar kapitalin e tyre, t’I përgjigjen ritmeve të kreditimit të ekonomisë dhe konsumatorit shqiptar, sepse në rast se reduktojnë aktivitetin e tyre si pasojë e bankave mëmë në Greqi, natyrisht që do ketë më pak para për ekonominë dhe zhvillimin e Shqipërisë”.

Italia është një tjetër faktor shtesë në këtë krizë. Situata atje është reflektuar në marrëdhëniet tregtare dhe rënien kryesisht të kërkesave për produkte të realizoheshin në Shqipëri. Megjithatë edhe për këtë rast, drejtori Ekzekutiv i bankës Intesa San Paolo, një ndër bankat më të mëdha në vend, Stefano Farabbi përdor shprehjen se cdo e keqe e ka një të mire:

“Përsa i përket tërheqjes apo kërkimit të mundësive në Shqipëri, ndoshta kjo situatë ka favorizuar, sepse karakteri i italianëve është i tillë që kur u mbyllet një derë, kërkojnë të hapin të tjera gjetkë. Shqipëria është vendi i parë drejt së cilit italianët hedhin sytë për të kuptuar nëse mund të zhvillojnë biznes. Pra ajo që është një minus në Italia mund të jetë një plus për Shqipërinë”.

Zoti Farabbi shton megjithatë se ajo për të cilën kanë nevojë sot investitorët e huaj janë garancitë, ato ligjore apo të procedurave që duan të kenë para se të nisin një aktivitet.

XS
SM
MD
LG