Lidhje

Shqipëria në listën e embargos ruse


Rusia ka shtuar Shqipërinë, Malin e Zi, Lihtenshtajnin dhe Islandën në listën e vendeve nga të cilat ndalohen importet ushqimore, si kundërpërgjigje për sanksionet perëndimore lidhur me krizën në Ukrainë. Njoftimin e bëri sot Kryeministri rus Dmitri Medvedev.

Rusia do të ndalojë gjithashtu disa produkte ushqimore të planifikuara për t’u importuar nga Ukraina në 2016, nëse hyn në fuqi një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik mes Kievit dhe Bashkimit Evropian, tha zoti Medvedev.

Rusia ka vënë në zbatim që më parë ndalim-importesh ndaj Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Norvegjisë dhe Australisë si dhe të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ndër mallrat e ndaluara janë produktet e mishit, peshkut, bulmetit, frutat dhe perimet.

Por, ndryshe nga parashikimet, lista e zgjeruar nuk përfshin Gjeorgjinë, e cila kohët e fundit nuk pranoi të mbështeste zgjerimin e sanksioneve kundër Moskës.

Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore vendosën sanksione kundër firmave dhe individëve rusë si kundërpërgjigje për rolin e Moskës në krizën në Ukrainë dhe aneksimin e gadishullit të Krimesë.

XS
SM
MD
LG