Lidhje

Problemi i emigracionit në Shqipëri


Në Tiranë, u çel sot programi i trajnimit të infermierëve shqiptarë për punësim në Gjermani. Qeveria po e kthen vëmendjen te shkollat profesionale, ndërkohë që rreth 40 mijë qytetarë emigruan këtë vit nga Shqipëria për shkak të papunësisë dhe varfërisë ekstreme.

Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh vazhdojnë të emigrojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve të Bashkimit Europian, duke kërkuar punë dhe një jetë më të mirë, ndërsa qeveria shqiptare po përpiqet të drejtojë vëmendjen e të rinjve tek arsimi profesional.

Pas sirianëve shqiptarët janë të dytët që po emigrojnë më shumë në Gjermani, duke kaluar edhe serbët edhe kosovarët me kërkesat për strehim dhe punësim.

Në 7 muajt e parë të vitit në Gjermani emigruan mbi 55 mijë sirianë dhe mbi 38 mijë shqiptarë nga Shqipëria.

Më pas vijnë 33 mijë shqiptarë nga Kosova dhe 20 mijë serbë, 10 mijë nga Mqaqedonia dhe 5 mijë nga Bosnja.

Kryeministri Edi Rama tha sot se Gjermania ka nevojë për punonjës të shkolluar me profesione, si shkolla profesionale e infermierëve që u përurua sot.

Numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani u rrit gjatë gushtit deri në 8 mijë e 300 vetë, gati njëlloj sa sirianët ose 4 herë më shumë se serbët, ndërkohë që emigrimi i Kosovës dhe Maqedonisë shënoi ulje të lehtë.

Zoti Rama tha se rruga e ligjshme e punësimit në Gjermani përmes shkollimit dhe akreditimit profesional është e vetmja rrugë e sigurtë për të arritur një jetë më të mirë.

Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Shqipërisë iu drejtuan emigrimit për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës në vendin e tyre.

Ekspertë të cështjeve sociale, avokati i popullit dhe studiues të shoqërisë shqiptare kanë arritur në këtë përfundim, bazuar në shumë intervista me familjet e emigruara.

Shumica e atyre që marrin rrugën e mërgimit jetojnë në varfëri të thellë, të papunë dhe të pambrojtur nga asnjë institucion i kujdesit social.

Kryefamiljarët gjejnë me vështirësi të ardhura të pakta për fëmijet e tyre dhe të lodhur nga varfëria nisen në emigrim drejt vendeve ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe ku jetesa sigurohet me punë të ndershme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG