Lidhje

Engel: Zgjedhjet në Shqipëri të jenë të drejta e të lira


I pyetur për rëndësinë që do të kenë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri për integrimin e saj evropian, ligjvenësi Engel tha se hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të vendoset pjesërisht nga zgjedhjet, të cilat duhet të jenë të drejta e të lira.




Eliot Engel: Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe unë përsëris atë që kam thënë edhe për zgjedhjet e kaluara se e gjithë bota dhe e gjithë Evropa është duke vëzhguar. Jam shumë i kënaqur që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme dhe e mrekullueshme. Por Shqipëria po përpiqet tani të hyjë në Bashkimin Evropian dhe unë mendoj se pjesërisht kjo do të vendoset nga zgjedhjet që do të bëhen atje. Është e nevojshme që zgjedhjet të jenë të drejta e të lira. Ai që fiton duhet të fitojë në kushtet e zgjedhjeve të drejta e të lira. Nëse në Evropë apo diku tjetër do të krijohet përshtypja se zgjedhjet ishin të manipuluara dhe jo të drejta e të lira, kjo do ta shtynte mjaft prapa Shqipërinë përsa i përket perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj shpresoj se zgjedhjet do të zhvillohen të papenguara dhe do të jenë të drejta e të lira. Më kujtohet kur isha një herë në Shqipëri, ndoshta 10 vjet më parë. Ishte korrik dhe unë ndodhesha në Durrës duke parë njerëzit në radhë për të votuar. Kjo më kujtoi Amerikën, zgjedhjet demokratike që zhvillohen këtu. Prandaj unë besoj se në Shqipëri do të ketë zgjedhje të drejta e të lira dhe mendoj se ka shumë rëndësi që pas zgjedhjeve, vëzhguesit të thonë: ky është një vend që meriton të pranohet në Bashkimin Evropian. Kombi shqiptar, qoftë Shqipëria apo Kosova ka një gjë që duhet përmendur. Për shumë vite me radhë, Shqipëria sundohej nga diktatura më e egër në gjithë Evropën e ndoshta në të gjithë botën. Më kujtohet që kur isha fëmijë i vogël në Nju Jork, vendet e Lindjes ishin të rreshtuara nën Bashkimin Sovjetik, por komunizmi në Shqipëri isht aq radikal saqë ajo u prish me Moskën dhe u lidh me Kinën. Pastaj u prish me Kinën dhe udhëheqësit komunistë shqiptarë thanë se Kina nuk ishte dhe aq radikale. Njerëzve në Shqipëri u thuhej se Amerika është armik, se komunizmi është i mirë dhe gjëra të tjera qesharake. Por populli shqiptar nuk i ka besuar kurrë këto. Prandaj unë gjithnjë u them njerëzve se miqtë më të mirë që kanë amerikanët në botë janë shqiptarët dhe miqtë më të mirë që shqiptarët kanë janë amerikanët. Kjo të krijon një ndjenjë të mirë dhe është shumë e rëndësishme. Unë mendoj se ka rëndësi që këto zgjedhje të mbahen me drejtësi. E përsëris, Shqipëria ka bërë një rrugë kaq të gjatë, aq sa duket vërtet një mrekulli, për të arritur këtu nga ditët tepër të vështira të komunizmit tek ditët e lirisë dhe pavarësisë. Prandaj Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Shqipërisë dhe popullit të Shqipërisë, qëndrojnë gjithashtu përkrah Kosovës dhe popullit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG