Lidhje

Kufiri me Greqinë, Panariti: Bisedimet në kohën e duhur


Ministri i Jashtëm shqiptar rikonfirmoi sot sërish se bisedimet me Athinën për përcaktimin e kufirit detar nuk kanë nisur

Në Shqipëri ministri i Jashtëm Edmond Panariti rikonfirmoi sot sërish se bisedimet me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar nuk kanë nisur, duke deklaruar se ato do të hapen kur pala shqiptare ta gjykojë të përshtatshme dhe jo në varësi të vullnetit të palës greke. Duke folur në komisionin e Jashtëm të parlamentit ministri Panariti u shpreh se procesi i ardhshëm i bisedimeve do të jetë transparent dhe se për këtë do të ftohen përfaqësues nga të gjitha fushat për të dhënë kontributin e tyre.

Që prej vitit 2010 kur gjykata Kushtetuese hodhi poshtë, për shkak të shkeljes së trajtateve ndërkombëtare dhe të kushtetutës së vendit, marrëveshjen e arritur në 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë, kjo cështje ka qenë shpesh objekt diskutimesh. Trysnia e Athinës për këtë problem ka qenë e vazhdueshme, ndërsa mediat greke kanë shkruar edhe për kontakte direkte në nivelet e larta qeveritare mes dy vendeve.


Ministri i Jashtëm Edmond Panarit, rikonfirmoi sot se nuk ka bisedime mes palëve: “Nuk ka negoziata, nuk ka grupe negociatorësh. Ka vetëm trajtesë teknike të këtij problemi Brenda ministrisë së Jashtme”. Duke folur në Komisionin e Jashtëm të parlamentit, ministri Panariti u shpreh se bisedimet do të nisin në momentin që do të vlerësohet si I përshtatshëm nga pala shqiptare: “Negociatat do të nisin atëherë kur ne do të jemi të përgatitur, dhe kur të gjykojmë se do të jetë e përshtatshme në interes kombëtar për t’i nisur ato, dhe jo bazuar në vullnetin ose jo për hapjen nga pala greke.”

Marrëveshja e 2009 provokoi polemika të forta dhe një debat të gjatë public. E mbajtur larg syve të publikut, ajo u kritikua nga ekspertë të pavarur duke u rrëzuar më pas nga gjykata kushtetuese. Për bisedimet e ardhshme ministri Panariti premton trasparencë të plotë: “Vullneti i ministrisë së Jashtme, nisur dhe nga sensibiliteti i lartë publik, është që në cështjen e delimitimit të shelfit kontinental, që ka të bëjë me sovranitetin tonë kombëtar, ministria e Jashtme është e hapur që pjesë e këtij procesi të bëhet e gjithë shoqëria shqiptare, akdemikët, politikanët dhe shoqëria civile”.

Opozita në komision kërkoi të kishte më shumë informacione, gjë që nxiti edhe debate me kryetarin Fatos Beja, i cili e mbylli seancën me ministrin. Socialistët paraqitën menjëherë një kërkesë për një tjetër seancë dëgjimore me ministrin të fokusuar vetëm në cështjen e kufijve detarë me Greqinë.

XS
SM
MD
LG