Lidhje

Shqipëri: Guvernatori Fullani, takim me biznese nga rrethet e veriut

  • Pëllumb Sulo
  • Shkodër

Shqipëri: Guvernatori Fullani, takim me biznese nga rrethet e veriut

Shqipëri: Guvernatori Fullani, takim me biznese nga rrethet e veriut

Gjatë një takimi të zhvilluar në Shkodër me përfaqësues të biznesit nga rrethet Veriore të Shqipërisë, guvernatori i Bankës qendrore të Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh optimist mbi zhvillimet e pritshme të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2011.

Guvernatori Fullani tha se, gjatë vitit të kalur, ekonomia shqiptare pritet të ketë regjistruar një rritje të kënaqshme pasi, siç tha ai, ne 3 mujorin e tretë rritja ekonomike është vlerësuar në masën 4.9%.

Në vitin 2011 ecuria e treguesve makroekonomikë pritet të jetë e ngjashme me atë të vitit 2010 .Banka e Shqipërisë gjykon se, harmonizimi i suksesshëm i vitit të kaluar në politikën monetare dhe atë fiskale duhet të vazhdojë më tej dhe në vitin 2011. Është një kusht mjaft i rëndësishëm për të pasur sukses në realizimin e objektivave për vitin 2011. Politika fiskale dhe ajo monetare duhe të synojnë medoemos qendrushmërinë e këtyre treguesve, duke mbështetur gjithashtu rritjen ekonomike të vendit.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe se, pavarësisht nga kjo, ka disa drejtime që duhen përmirësuar dhe ku Banka e Shqipërisë e ka përqendruar veprimtarinë e saj mbikqyrëse.

Drejtimi i parë lidhet me nevojën për zgjerimin e veprimtarisë së kreditimit, nje kërkesë e bërë herë pas here nga Banka e Shqipërisë dhe, njëkohësisht, akoma më e rëndësishme, përmirësimi i cilësisë së kreditimit. Të dy këto elementë mund të mbështesin njëri-tjetrin nëse veprohet në mënyrë të kujdesshme. Por, unë mendoj që, për të arritur sukses në kredidhënie dhe në cilësinë e kredidhënies, duhet medoemos që bankat të kenë politika të qarta për kredidhënien, të kenë një informacion të plotë dhe të bëjnë një punë të mirëfilltë shkencore.

Guvernatori Fullani tha se gjatë këtij viti pritet një zgjerim i rritmeve të kreditimit, kjo në saje të përmirësimit të situatës së likuiditetit dhe prirjes në rënie të normës së interesit në lekë, gjë që ka dhënë shenja pozitive që në dy muajt e fundit të vitit të kaluar. Por guvernatori i Bankës së Shqipërisë tërhoqi vemendjen edhe në drejtim të kredive me probleme.

Zgjerimi i rritmeve të kreditimit, ne besojmë se do të mbështesë mirë zhvillimin e ekonomisë gjatë 2011 në saje të dy zhvillimeve mjaft të rëndësishme. Së pari, përmirësimi i ndjeshëm i situatës së likuiditetit dhe, së dyti, prirja në rënie e normës së interesit për kreditë në lekë. Shenjat e para të një ecurie pozitive u dhanë në dy muajt e fundit të vitit 2010, kur rritmi vjetor i kredidhënies u përshpejtua dukshëm.

Në këtë proces, guvernatori Fullani tha se është e nevojshme të ndërhyhet për përmirësime të mëtejshme ligjore që do te ulnin rrezikun e bankave në procesin e kreditimit, proces ky që ndihmon në çlirimin e burimeve të reja financiare për kreditimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG