Lidhje

Shqipëri: Importi i mbetjeve pranohet nga vetëm 9 për qind e qytetarëve


Shqipëri: Importi i mbetjeve pranohet nga vetëm 9 për qind e qytetarëve

Shqipëri: Importi i mbetjeve pranohet nga vetëm 9 për qind e qytetarëve

Ligji i sapomiratuar për menaxhimin e mbetjeve urbane, që lejon importimin e tyre nga shtete të tjera drejt industrive ricikluese mbështetet vetëm nga 9 për qind e popullatës shqiptare.

Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Instituti IDRA, ku theksohet se 80 për qind e qytetarëve janë të informuar për ligjin e ri dhe kërkojnë të mbahet një referendum kombëtar për importimin ose jo të mbetjeve urbane, sepse kjo është një çështje e rëndësishme për Shqipërinë.

Studimi nxorri edhe rezultatin që nëse referendumi do të mbahej, atëherë vetëm 9 për qind e të anketuarve do të votonin pro importit të mbetjeve urbane, 78 për qind do të votonin kundër këtij importimi, ndërsa 12 për qind janë të luhatur ose nuk do të merrnin pjesë në votim.

Studimi dhe anketimi i fundit i Institutit IDRA është kryer vetëm në grupe që përfaqësojnë banorët e qyteteve të mëdha të Shqipërisë, me synimin për të mbledhur mendimin në zonat urbane, sepse mendohet që zonat fshatare janë natyrshëm të interesuara për mbrojtjen e mjedisit.

Studimi ka zbuluar se mediat e kanë bërë si duhet punën e tyre; 83 për qind e të intervistuarve nga të gjithë grupmoshat pohojnë se janë të informuar mbi ligjin e menaxhimit të mbetjeve. Njohja e ligjit në Tiranë është po aq e madhe sa edhe në qytetet e tjera. Rreth 70 për qind e të interesuarve pohojnë se e dinë mirë që ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve e lejon importimin e tyre, ndërsa pjesa tjetër thotë se nuk e di, ose nuk e lejon.

Analisti Blendi Sala thotë se “Shqipërisë i nevojitet që të krijojë një traditë për të zhvilluar referendume mbi tema ekonomike, sociale apo mjedisore, pra për çështje që e shqetësojnë komunitetin. Madje - shton ai - ky vit i 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar është rasti më i mirë për ta nisur këtë përvojë demokratike”.

Redaktori i ekonomisë në gazetën “Shqip”, Gjergj Erebara, thotë se “Shqipëria nuk ka asnjë përfitim ekonomik për të importuar mbetjet urbane. Depozitimi i mbetjeve të mbetjeve pas riciklimit ka kosto të lartë dhe shkatërrim të mjedisit, pastaj Shqipëria nuk është tregtare konkurruese në botë për asnjë nga materialet që mund të riciklojë (hekur, çelik, plastikë etj.), aq më pak që nuk ka as teknologjinë e duhur për lëndët e rrezikshme, si bateritë e makinave, që përveç acideve kanë edhe shumë plumb”.

Zoti Erebara se “vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian i dërgojnë mbetjet e tyre për riciklim drejt vende të zhvilluara të BE-së, sepse ato kanë industrinë e përshtatshme, ndërsa për Shqipërinë po ndodh e kundërta; një vend i varfër, pa industri dhe kulturë riciklimi hap dyert që të marrë mbetjet e vendeve të zhvilluara, madje pa patur asnjë taksë për ndotje të tilla mjedisore”.

Studimi i IDRA-s u publikua sot një ditë pasi Aleanca Kundër Importimit të Plehrave nisi të mbledhë firmat e banorëve në qytetet më të mëdha të vendit për të kërkuar mbajtjen e një referendumi.

Anketa u realizua gjatë muajit dhjetor, kur parlamenti miratoi me vendosmërinë e shumicës ligjin për menaxhimin e mbetjeve urbane, ku arashikohet edhe importimi i mbeteve nga shtete të tjera si një mënyrë për të furnizuar industrinë e sapongritur të riciklimeve.

Parlamentarët nuk përfillën as peticionin e kësaj Aleance me 3 mijë firma qytetarësh, ku kërkohej që importimi i mbetjeve të shtyhej edhe 20 vjet, derisa industria e riciklimeve të fuqizohej sipas standarteve të Bashkimit Europian.

As peticioni, as tubimet e protestave dhe as kthimi i ligjit në parlament për rishqyrtim nga presidenti Bamir Topi nuk e penguan dot shumicën parlamentare që ta miratonte ligjin e kundërshtuar. Tani veprimtarët e mjedisit po mbledhin firmat për një referendum kombëtar, dhe opozita socialiste bëri të ditur sot se do t’i mbështesë këto përpjekje të tyre.

XS
SM
MD
LG