Lidhje

Shqipëri, hapet debati në parlament për imunitetet


Në Shqipëri parlamenti u përfshi në debate të fota ndërsa sot nisi shqyrtimin e nismës së deputetëve të shumicës për heqjen e imunitetit. Polemikat u nxitën më së shumti nga fakti se socialistët paraqitën zyrtarisht një kërkesë për disa ndryshime të tjera kushtetutese që sipas tyre forcojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë e do të duhet të trajtohen së bashku me cështjen e imuniteteve për të cilën ata propozojnë vetëm disa ndryshime të vogla. Për demokratët kërkesa e opozitës u pa si një pretekst për të penguar votimin e cështjes së imuniteteve.



Më shumë se sa ballafaqimi i varianteve të palëve mbi imunitetet, mbledhja e parë e Këshillit të legjislacionit harxhoi kohë me polemika lidhur me propozimin e socialistëve për të përfshirë në ndryshimet në kushtetutë edhe disa ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Sipas sekretarit socialist për Cështjet ligjore Fatmir Xhafa, lufta reale ndaj korrupsionit do të kërkonte jo vetëm heqjen apo kufizimin e imuniteteve por dhe një pavarësi të institucioneve të drejtësisë.

Për këtë socialistët kanë propozuar disa ndryshime që sipas zotit Xhafa “synojnë krijimin e garancive të një sistemi të pavarur nga politika, për të patur jo gjykata dhe prokurori të kapura politikisht, na duhen gjykatës e prokurorë që përfaqësojnë vullnetin e të gjithëve jo vetëm të një partie, që gëzojnë besimin dhe mbështetjen e të gjithëve jo vetëm besnikërinë ndaj qeverisë”

Socialistët propozojnë konkretisht që anëtarët e gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhen me tre të pestat. Po ashtu ata kanë propozuar ndryshime edhe për të rregulluar sistemin e rotacionit në gjykatën Kushtetuese apo dhe që deputetët në rast procesesh gjyqësore të ndjekin të njejtën procedurë si të gjithë qytetarët dhe jo të gjykohen vetëm nga Gjykata e lartë.

Por për kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli propozimet e socialistëve tingëllonin më shumë si një përpjekje për bllokim të cështjes së imuniteteve: “Mbase jam e gabuar. Por të krijohet përshtypja sikur jemi mbledhur të ndryshojmë kapituj të tërë të kushtetutës, gjë që s’do ta merrnim kurrë përsipër. Duket gati gati sikur do të bëjmë një kushtetutë të re. Mua më duket bllokim, kushtëzim më duket një arsye e gjetur, jo e besueshme për të mos votuar heqjen e imunitetit, kufizimin e imunitetit”

Deputeti socialist Pandeli Majko tha se problem në Shqipëri nuk është aq shumë imuniteti se sa paprekshmëria e njerëzve të pushtetit: "Se unë e heq imunitetin por dal përballë një prokurori që e kam emëruar unë, një gjykatësi që e kam emëruar unë. Si thoni ju do më dënojnë ata që i kam emëruar unë? Ja këto janë ndryshimet e “tepërta”, “bllokuese”..”

Nga ana tjetër kryetari i Komisionit të Ligjeve demokrati Ilir Rusmali tha se kërkesa e socialistëve nuk mund të trajtohej me cështjen e imuniteteve pasi ajo kishte një objekt tjetër: “Ky dokument nuk është pjesë e kësaj mbledhjeje, e këtij rendi dite, ky dokument nuk mund të vijë këtu. Duhet të shkojë në konferencën e kryetarëve, të marrë Ok nga kjo konferencë e të futet në procedurë sipas rregullores. Eshtë nismë tjetër dhe ka objekt tjetër”.

Përsa i përket imuniteteve ndryshimet mes palëve duket se janë të vogla. Demokratët janë për një heqje të përgjithshme duke mos i lënë deputetëve mbrojtje as nga arrestimet e duke parashikuar ndërhyrjen e parlamentit vetëm në rast se vlerëson se cënohet ndjeshëm funksionimi i tij. Socialistët u shprehën se duhet mbajtur parasysh edhe konteksti i demokracisë shqiptare dhe propozojnë që deputeti të mos arrestohet pa autorizim nga parlamenti, ndërsa përsa i përket hetimeve ndaj tij prokuoria të ketë dorë të lirë për cështjet që nuk lidhen me detyrën e tij si parlamentar. “Eshtë e nevojshmë të ketë disa garanci nga veprime të caktuara proceduriale që mund të nxiten nga hetime selektive, elektorale, si rrjedhoë e luftës së brendshme politike. Këto garanci do e lejonin opozitën të kryente lirisht funksionet e veta”, tha zoti Xhafa

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse socialistët do të këmbëngulin deri në fund për t’i trajtuar të lidhura të dyja cështjet apo do të pranojnë që ndryshimet e tjera të propozuara prej tyre të trajtohen në një moment tjetër dhe të japin dritën jeshile për imunitetet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG