Lidhje

Shqipëri: Jep dorëheqjen anëtari i Gjykatës Kushtetuese Plloҫi

  • Armand Mero

Në Shqipëri, anëtari i Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloҫi dha sot dorëheqjen, duke kundërshtuar zgjatjen e gjatë të mandatit të tij, i cila ka përfunduar prej gati dy vjetesh. Parlamenti bllokoi zëvendësimin e tre anëtarve, e po ashtu dhe vetë gjykata kushtetuese e konfirmoi ketë qendrim pak ditë më parë. Por zoti Plloҫi e konsideron këtë si një cënim të rëndë të legjitimitetit të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësimi i tij tani, pritet të hapë debate mbi procedurën që do të ndiqet dhe mandatin e pasuesit të zotit Plloҫi.

Anëtari i Gjykatës kushtetuese Petrit Plloҫi, është një nga tre anëtarët e kësaj gjykate të cilëve mandati 9 vjeҫar u ka përfunduar prej shumë kohësh. Në rastin e zotit Plloҫi që prej majit të vitit 2010.

Vitin e kaluar presidenti Bamir Topi dekretoi emrat për zëvendësuesit e tyre. Por parlamenti, vendosi të mos i marrë në konsideratë duke qenë se kish emëruar më parë tre anëtarë të tjerë të rinj, duke shpjeguar se kështu do të bëhej rotacioni normal i parashikuar çdo tre vjet për një të tretën e anëtarëve të saj. Këtë arsyetim e pranoi edhe vetë gjykata kushtetuese pas kërkesës për interpretim të paraqitur nga presidenti Topi, duke fiksuar se për tre anëtarët pa mandat, zëvendësimi do të bëhej në prill të vitit të ardhshëm.

Tre nga 9 anëtarët votuan kundër kësaj zgjidhjeje dhe zoti Plloҫi ishte një prej tyre. Akti i tij i sotëm është qartë një shenjë mospajtimi edhe me këtë vendim.

Në tekstin e tij të dorëheqjes mësohet të jetë shprehur se "mandati mund të zgjasë për një kohë të arsyeshme sic parashikon Kushtetuta deri në ardhjen e pasardhësit, porse nuk mund të jetë aq e gjatë sa të përbëjë një konsumim të nje pjese substanciale të një mandati të dyte 9 vjeҫar, siҫ po ndodh në rastin në fjalë", mësohet të ketë saktësuar zoti Plloҫi, sipas të cilit “kjo situatë e bllokimit të procedurës së emërimit të gjyqtarit zëvendësues cënon rëndë legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas burimeve nga gjykata kushtetuese, gjyqtari Plloci, ka shpjeguar se shpreson që dorëheqja e tij "të shërbejë si nxitje për gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese të problemit".
Largimi i zotit Plloҫi pritet të hapë debate të reja. Së pari gjykata kushtetuese është e detyruar të kërkojë zëvendsimin e tij sa më të shpejtë, duke qenë se vetëm me 8 anëtarë rrezikohet vendimmarrja e Gjykatës, pasi anëtarët e saj mund të ndahen në mënyrë të barabarte në interpretimin e një ҫështjeje.

Nga ana tjetër mbetet për t’u parë se si do të veprojë parlamenti, nëse do të kërkojë një emër të ri nga presidenti apo do të përzgjedhjë një nga tre emrat që janë të dekretuar tashmë. Por edhe në këtë rast ngrihet pyetja se mbi c’bazë të bëjë përzgjedhjen. Gjithashtu, duket se do të jetë e debatueshme edhe ҫështja e mandatit të zëvendësuesit, nëse ai do të ketë një mandat të plotë 9 vjeҫar, apo do të plotësojë vetëm pjesën e mbetur nga mandati i shtyrë i zotit Plloҫi, deri në prill të vitit të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG