Lidhje

Raporti i Transparency International mbi korrupsionin, Shqipëria humbet 8 vende

  • Armand Mero

Raporti i Transparency International mbi korrupsionin, Shqipëria humbet 8 vende

Raporti i Transparency International mbi korrupsionin, Shqipëria humbet 8 vende

Shqipëri ka humbur 8 vende në klasifikimin e Transparency international për perceptimin e korrupsionit për vitin 2011. Nëse një vit më parë ajo renditej e 87-a mes 173 vendeve, tani është në vendin e 95-te. Në sistemin e pikëve ku 10 u jepet vendeve pa korrupsion, vlerësimi për Shqipërinë është 3.1 pikë, me 0.2 më pak se vitin e kaluar. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria lë pas vetëm Kosovën duke humbur edhe avantazhin që kish një vit më parë ndaj Bosnjë Hercegovinës.

“Shqipëria shënon 3.1 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, nga 3.3 që ishte për vitin 2010, me tetë burime të dhënash me standartin e devijimit 0.18 (minimumi 2.3 dhe maksimumi 4). Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 95, krahasuar me vendin e 87 në vitin paraardhës, duke zbritur në klasifikim 8 vende më poshtë se në 2010”.

Ky është klasifikimi i ri për Shqipërinë në raportin e publikuar sot nga Transparency international. Vendi gjendet ndjeshëm edhe poshtë mesatares prej 5 pikësh, duke qenë në fakt me një grup të madh vendesh ku fenomeni konsiderohet I përhapur. Shqipëria ka një pozicion më të dobët edhe krahasuar me rajonin e Ballkanit ku ka lënë pas vetëm Kosovën. Në të vërtetë thuajse të gjitha vendet e rajonit kanë njohur një përkeqësim, me përjashtim të Malit të zi i cili ka marrë 0.3 pikë më shumë duke kapur vlerësimin 4 pikë, apo Bosnjën e cila ka ruajtur të njejtin vlerësim dhe klasifikim në renditjen botërore.

Zyra e Transparency International Albania bëri sot thirrje që “agjencitë e ligjit të angazhohen në mënyrë rigoroze në zbatimin e tij dhe që retorikat dhe angazhimet politike të përkthehen në reforma serioze në qeverisjen e vendit. Beteja anti-korrupsion – tha Inesa Hila, perfaqësuese e zyrës në Tiranë të Transparency - duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në Bashkimin Europian. TIA kujton se heqja e imuniteteve për zyrtarë të lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t'i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me cdo mjet.

I vetmi reagim politik pas publikimit të indeksit të perceptimit të korrupsionit ka qenë një mesazh në Twiter I kryetarit socialist Edi Rama sipas të cilit “Shqipëria është në pikiatë e renditur si vendi më I korruptuar I Europës. Emergjencë për një rilindje shqiptare”, shkruan zoti Rama.

XS
SM
MD
LG