Lidhje

Shqipëri: Konferencë ndërkombëtare mbi demokracinë


Shqipëri: Konferencë ndërkombëtare mbi demokracinë

Shqipëri: Konferencë ndërkombëtare mbi demokracinë

Konferenca ndërkombëtare për rivlerësimin e demokracisë shqiptare gjatë dy dekadave diskutoi sot për ndikimin që mediat amerikane, britanike dhe perëndimore patën në shoqërinë shqiptare në vitet 1980 -1990, e cila po përpiqej për të ndryshuar sistemin politik. Shef i VOA për Europën dhe Azinë, Elez Biberaj, tha se mbështetja e opinionit publik në atë kohë kishte një rëndësi të madhe, në mënyrë që edhe Shqipëria të kapërcente nga izolimi i regjimit komunist në një sistem politik demokratik dhe shumëpartiak. “Pak kohë pas rrëzimit të regjimit të Çausheskut, vëmendja u kthye nga Shqipëria, dominoja e fundit komuniste. Shqipëria po përballej me probleme të shumta sociale dhe ekonomike. Çështja nuk ishte se pas sa kohë do të binte regjimi komunist, por kur do të binte ky regjim dhe sa i dhunshëm mund të ishte” - tha zoti Biberaj.

Sipas tij, VOA mbështeti revolucionin demokratik të Shqipërisë në fund të viteve 80 dhe në fillim të viteve 90 duke intervistuar njerëzit e duhur nga qarqet intelektuale të Tiranës, shkrimtarë si Ismail Kadare, ekonomistë, sociologë të njohur, politikanë të rinj. Krahas tyre dhanë intervista të guximshme për kohën dhe protagonistët kryesorë të ngjarjeve dhe politikanët e parë të pluralizmit, duke shfrytëzuar besueshmërinë e lartë që VOA gëzonte tek një numër i madh dëgjuesish. “Përmes këtyre intervistave telefonike të drejtpërdrejta VOA u përpoq që të angazhonte disa pjestarë të elitës së ditur në shqipëri të merrnin pjesë në debatin për disa tema politike të ndjeshme dhe delicate mbi demokracinë dhe kjo nuk ishte e lehtë. Ata u treguan mjaft kurajozë me ato intervista në atë periudhë kritike për vendin dhe për vetë ata. Tani ato intervista mund të duken të thjeshta, porn ë fillim të viteve 90 shqipëria ishte e mbyllur dhe rreziku i dënimeve ishte e madh” - tha zoti Biberaj.

Ndërsa analisti Misha Gleni, autor i disa librave mbi ngjarjet në Ballkan, kujtoi se në çfarë varfërie e gjeti ai Shqipërinë kur erdhi të raportonte për BBC në fillim të viteve 1990. “Rrugët, shkollat, pallatet e banimit ishin të prishura, infrastruktura ishte e rrënuar, po ashtu nuk punonte energjia elektrike, furnizimi me ujë dhe ishte për tu habitur se çfarë e mbante më në këmbë, ku mbështetej regjimi komunist” - tha zoti Gleni. - Atmosfera në Shqipëri ishte e mbarsur me ndryshim. Elita ishte shumë e shqetësuar se nga po shkonte vendi, çfarë rruge do të merrte Shqipëria pas ngjarjeve në Rumani. Është shumë e rëndësishme të kujtojmë se infrastruktura e rrugëve ishte shumë e pazhvilluar, vetëm 10 për qind e banorëve kishin telefon dhe ato të përqëndruar në Tiranë, dhe pothuaj të gjithë telefonat vëzhgoheshin në forma të ndryshme nga qeveria”.

Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Instituti i Medias organizuan për dy ditë në Tiranë një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e studiuesve nga Europa, SHBA dhe Ballkani, mbi lindjen dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, tranzicionin, forcimin e pluralizmit dhe realizimin e shndërrimeve sociale dhe ekonomike drejt tregut të lirë.

XS
SM
MD
LG