Lidhje

KQZ: Vonesa në mbylljen e zgjedhjeve


Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit ende nuk po mbyllen zyrtarisht, edhe pse numërimi i votave mbaroi disa ditë më parë, edhe pse rezultatet e rivalëve tashmë dihen dhe flasin qartë. Nën atmosferën e humbjes dhe fitores nga njëra seli partiake në tjetrën, nxjerrja e rezultateve përfundimtare përsëri po vonohet, ndonëse shqiptarë dhe ndërkombëtarë po kërkojnë certifikimin dhe mbylljen sa më parë të procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi mbrëmë se deri tani vetëm tre qarqe Kukësi, Korça dhe Vlora kanë përfunduar dorëzimin e tabelave të rezultateve nga komisionet e zonave zgjedhore. Nga ana e saj KQZ-ja thotë se ka përpunuar tabelat e rezultateve të qarkut Kukës, shpërndau projekt-aktin për miratimin e rezultatit të kësaj zone, dhe po vazhdon procedura me ato të qarqeve Korçë dhe Vlorë.

Komisioni shpjegoi me një deklaratë publike të posaçme se rezultatet e secilës zonë zgjedhore miratohen brenda 48 orëve pas shqyrtimit të tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo zonë zgjedhore. KQZ dha shpjegime të hollësishme mbi nenet e Kodit Zgjedhor të certifikimit të rezultateve, duke theksuar se ende tabelat nuk po vijnë sipas ligjit nga komisionet zonale.

Sipas ligjit, para se të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit KQZ verifikon rezultatin e tabelave për çdo qark, dhe brenda 48 orëve miraton tabelën përmbledhëse. Subjektet zgjedhore kanë 3 ditë afat për të ankimuar vendimin e KQZ-së dhe pas kësaj shpërndahen mandatet për çdo zonë zgjedhore. Ndërsa rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja brenda 5 ditëve nga shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore.

Pakkush prej partive po shqetësohet për këto vonesa, që sipas llogarive, janë 7 ditë me procedurë ligjore dhe dyfish me zvarritjet e komisionerëve. Partia Demokratike nuk ka dhënë ndonjë koment për vonesat, ndërsa Partia Socialiste bëri të ditur se nuk do të bëhet pjesë e punës së KQZ-së me ndonjë kthim të mundshëm të komisionerëve të saj aty. Një përfaqësues i PS-së deklaroi se veprimet e KQZ-së do të ankimohen në Kolegjin Zgjedhor, dhe se rezultatet do të certifikohen aty.

Partitë kryesore të zgjedhjeve nisën menjëherë të projektojnë hapat e mëtejshme, dikush në pushtet e dikush në opozitë qysh nga shtatori, kur të mblidhet parlamenti i ri, Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, janë marrë vesh që i pari të drejtojë qeverinë e re, ndërsa i dyti të jetë kryetar parlamenti, ndërkohë që vendosën bashkarisht se asnjë ministër nuk do të jetë deputet.

Në të njëjtën kohë që drejtuesit e PS-së dhe LSI-së diskutonin planet 100 ditore të qeverisjes dhe emrat e ministrave, në selinë e PD po diskutohej rinovimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve, përmes kriterit një anëtar një votë, dhe pas dorëheqjes së kryetarit të saj Sali Berisha. U njoftua një konkurrim i hapur për politikanët e të djathtës, që të shpalosin platforma të reja drejtuese të partisë së rikthyer në opozitë.
XS
SM
MD
LG