Lidhje

Shqipëri: Kryeministri Berisha shpjegon ftesën ndaj opozitës për reformën zgjedhore


Shqipëri: Kryeministri Berisha shpjegon ftesën ndaj opozitës për reformën zgjedhore

Shqipëri: Kryeministri Berisha shpjegon ftesën ndaj opozitës për reformën zgjedhore

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ftoi opozitën socialiste në një tryezë shumëpartiake në fundjavë për të diskutuar reformën zgjedhore.

Kryeministri Berisha deklaroi në mbrëmje se shumica në pushtet i ka ofruar opozitës që të hartojë cdo amendament të kodit zgjedhor që rekomandohet nga OSBE dhe të tjera që mendon vetë për të përmirësuar atë.

“Kjo është një ftesë unike. Zotit Rama dhe Partisë Socialiste në një ftesë të paprecedent ndonjëherë, i është kërkuar që, për të proceduar me reformën zgjedhore, të hartojnë të gjitha amndamentet, këto amendamente t’i dërgojë në OSBE/ODIHR ose në Komision të Venecias për të marrë një opinion që në to respektohen standartet demokratike ndërkombëtare të zgjedhjeve, dhe maxhoranca do t’i votojë ato pa asnjë ndryshim” - tha zoti Berisha.

Kryeministri Berisha i bëri këto komente gjatë një programi të radio-televizionit News 24 në mbrëmje, ku theksoi se ftesa ndaj Partisë Socialiste ishte e sinqertë aq edhe unike, dhe bëhej vetëm për të shmangur përplasjet e panevojshme pozitë - opozitë.

“Zoti Rama ka renditur 11 cështje për hetim. Asnjë nuk është hedhur poshtë nga ne. Zotit Rama i është propozuar kjo; të fillojmë hetimin e 10 cështjeve të para. Nëse këmbëngulin për rinumërim votash, atëherë i pari njeri që është dakord për rinumërim është Sali Berisha, por me një kusht që për këtë të vendosë gjykata” - tha ai.

Nga ana tjetër, zoti Berisha tha se ishte i vetëdijshëm që asnjë amendament nuk mund të votohej në parlament pa opozitën, e cila nuk ka arsye bindëse për të bllokuar procesin.

Ai tha se ishte dakord edhe me rinumërimin e votave dhe hapjen e kutive të votimit, me kusht që gjykatat të marrin një vendim për këtë veprim.

“Ligji përcakton qartë se me hapjen e kutive, materialet shkojnë në arkiv, fletët e votave digjen. Nëse zoti Rama është i interesuar për zgjidhje, cfarë e pengon atë që të nisi procedurën gjyqësore tani dhe të presim, dhe ndërkohë që gjatë 4 muajve që vijnë të hetojmë për 10 cështje të tjera? Pra, nisim 10 cështje të tjera dhe të 11-tën e fillojmë pas 4 muajsh. Ai që duhej të ankohej, duhet të isha unë. Unë nuk kam ankohem, une pres 4 muaj, madje edhe 6 muaj” - tha zoti Berisha.

Por Partia Socialiste reagoi dy ditë më parë pas ftesës së kryeministrit, përmes kryetarit Edi Rama, i cili tha se “Shqipërisë nuk i duhet një tjetër Kod Zgjedhor i shkelur me të dyja këmbët nga pushteti si në zgjedhjet e shkuara, po i duhet garancia se në zgjedhjet e ardhshme Kodi Zgjedhor nuk do të shkelet. Këtë garanci - tha më tej zoti Rama - nuk e jep një tjetër ligj në letër, por vetëm transparenca e kutive ku fshihen gjurmët e vjedhjes së kryer në 28 qershor”.

Zoti Rama theksoi se socialistët janë të gatshëm të ulen me shumicën “për ta përmirësuar edhe ligjin ekzistues të zgjedhjeve kur Sali Berisha të jetë gati të hapë rrugën e kësaj transparence. Përndryshe faji i mbetet atij që e ka, Sali Berishës”.

Partia Demokratike ka ftuar në tryezën e reformës zgjedhore të gjitha forcat politike parlamentare; Partinë Socialiste, Partinë “Lëvizja Socialiste për Integrim”, Partinë Republikane, Partinë “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” dhe Partinë “Drejtësi dhe Unitet”.

Po ashtu në këtë tryezë të të premtes janë ftuar edhe 6 shoqata dhe institute me përvojë të gjerë në vëzhgimin e zgjedhjeve dhe me ekspertizë ligjore për sistemet zgjedhore. Pra pritet të jenë 6 parti dhe 6 shoqata që do të merren me reformën zgjedhore.

Sic është bërë tashmë zakon në Shqipëri zgjedhjeve vendore u jepet një rëndësi shumë herë më e madhe se ato parlamentare. Presidenti Bamir Topi dekretoi 8 majin si ditën e zgjedhjeve vendore, ndërsa KQZ ka nisur përgatitjet teknike të procesit zgjedhor.

XS
SM
MD
LG